UEFA propozon Philippe Diallo për kreun e FIFA-s, francezi sfidon Gianni Infantinon në zgjedhjet e 2027-ës

Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, pritet të kandidojë për postin e presidentit të FIFA-s në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, duke u bërë një kandidat surprizë në garën për drejtimin e organizmit më të lartë të futbollit botëror.

Kandidatura e tij u propozua të hënën nga UEFA, pas një mbledhjeje të Komitetit Ekzekutiv. Diallo e ka pranuar ftesën, ndërsa kandidatura e tij pritet të marrë miratimin zyrtar nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Franceze të Futbollit.

Ai do të përballet në garë me zyrtarin japonez Kozo Tashima dhe presidentin aktual Gianni Infantino, i cili synon një mandat të ri në krye të FIFA-s.

UEFA argumentoi se kandidatura e Diallos vjen në një moment shqetësimesh për drejtimin e FIFA-s, duke theksuar nevojën për të rikthyer unitetin dhe besimin në komunitetin ndërkombëtar të futbollit.

Infantino, i cili u zgjodh për herë të parë në vitin 2016, është përballur me kritika të forta muajt e fundit pas propozimit për një plan investimesh private, që parashikonte përfshirjen e investitorëve të jashtëm në një kompani tregtare të FIFA-s, të quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE). Nisma u tërhoq më vonë pas kundërshtimeve të shumta nga komuniteti i futbollit.

Zgjedhjet për presidentin e FIFA-s do të zhvillohen më 18 mars 2027, gjatë Kongresit të 77-të të organizatës, që do të mbahet në Rabat të Marokut.