Kina ka konfirmuar se presidenti Xi Jinping do të presë homologët e tij amerikan dhe rus, Donald Trump dhe Vladimir Putin, më 19 nëntor në qytetin jugor të Shenzhenit.
Në një deklaratë të shkurtër të publikuar sot, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze bëri të ditur se tre liderët do të takohen në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Ministria nuk dha detaje të tjera mbi agjendën e takimit.
Ky do të jetë takimi i parë trepalësh mes liderëve të tri fuqive më të mëdha bërthamore në botë. Secili prej tyre ka zhvilluar takime dypalëshe me dy të tjerët, por deri më tani nuk janë ulur asnjëherë së bashku në një tryezë.
Shtëpia e Bardhë njoftoi për takimin më 13 nëntor, ndërsa Kremlini e konfirmoi një ditë më vonë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, deklaroi se Trump do të diskutojë “reduktimin e armëve bërthamore në botë”.
Presidenti amerikan ka shprehur bindjen se bisedimet mund të çojnë në një marrëveshje të re mes shteteve me arsenalet më të mëdha bërthamore. Traktati New START, marrëveshja e fundit për kontrollin e armëve mes Uashingtonit dhe Moskës, skadoi më 5 shkurt, duke lënë dy arsenalet më të mëdha bërthamore pa kufizime, ndërsa Kina vijon të zgjerojë kapacitetet e saj.
Trump e kishte ngritur idenë e bisedimeve trepalëshe për kontrollin e armëve fillimisht gjatë vizitës në Pekin në maj dhe më pas në Shtëpinë e Bardhë në shtator. Megjithatë, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), Kina nuk kishte dhënë një përgjigje ndaj këtyre propozimeve.
Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se Trump do të ngrejë gjithashtu çështjen e luftës në Iran, e cila ka penguar transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit dhe ka rritur çmimet e energjisë në Bashkimin Evropian.
Ndërkohë, lufta në Ukrainë nuk pritet të jetë pjesë e diskutimeve zyrtare. Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se Kina nuk është pjesë e kanalit të veçantë të negociatave që përfaqësuesit e SHBA-së po zhvillojnë me Moskën dhe Kievin.
Megjithatë, sipas The Washington Post, Kremlini ka bërë të ditur se Putin synon ta ngrejë çështjen e Ukrainës gjatë takimit në Shenzhen.
Nuk është parashikuar një takim dypalësh mes Trump dhe Putinit, ndërsa presidenti amerikan do të zhvillojë një drekë pune me Xi Jinping.
Sipas The Wall Street Journal, Putin e kishte propozuar për herë të parë formatin trepalësh gjatë një bisede telefonike me Trump më 9 tetor, me synimin për të negociuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Propozimi shkaktoi reagime edhe në Bashkimin Evropian. Më 19 tetor, zëdhënësi i Komisionit Evropian për politikën e jashtme, Christian Wiegand, deklaroi se nëse Putin dëshiron t’i japë fund luftës, “mund ta ndalojë atë që sot”.
Një ditë më vonë, shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, akuzoi Uashingtonin se po i bën presion Ukrainës për t’u “dorëzuar sipas kushteve të Putinit”.
Trump është nisur sot nga Uashingtoni drejt Filipineve, ku do të marrë pjesë në samitin e ASEAN-it, përpara se të udhëtojë drejt Shenzhenit.