Për vite me radhë, qytetarëve shqiptarë iu servir një premtim i madh: inceneratorë modernë, teknologji europiane dhe një zgjidhje përfundimtare për krizën e mbetjeve. U fol për standarde, për investime strategjike dhe për një Shqipëri që më në fund do të dilte nga epoka e landfilleve primitive.
Por realiteti rezultoi krejt tjetër, një skandal i rëndë financiar, qindra miliona euro të zhdukura dhe asnjë impiant funksional që të justifikojë faturën marramendëse të paguar nga qytetarët.
Ndërkohë, situata në terren vetëm është përkeqësuar. Landfillet janë mbushur deri në kapacitet, menaxhimi i mbetjeve mbetet kaotik dhe në shumë zona mbetjet digjen në sipërfaqe, duke helmuar ajrin dhe jetën e përditshme të qytetarëve.
Dhe sot, pas gjithë këtyre që kanë ndodhur, qeveria shqiptare ka dalë me një nismë të re: “Programi Kombëtar për Parandalimin e Krijimit të Mbetjeve”, një program që sipas ministrit të Mjedisit, vendos theksin te reduktimi në burim i mbetjeve.
Pra, çfarë po ndodh në të vërtetë? Pas dështimit spektakolar me inceneratorët, qeveria po rikthehet te ABC-ja e menaxhimit të mbetjeve, duke e paketuar si një vizion të ri.
Pasi u harxhuan miliona euro në projekte të dështuara dhe korruptive, tani na thuhet se zgjidhja është ajo që duhej të ishte bërë që në fillim, dhe kjo paraqitet si një hap përpara.
Ministri i ri, Sofjan Jaupaj, flet për “orientimin drejt një ekonomie qarkulluese” dhe për “efikasitet në përdorimin e burimeve”.
Por, përpara se të flasë për efikasitet, qeveria duhet të japë llogari për jo-efikasitetin e së shkuarës, dhe të sqarojë se pse politikat e mëparshme dështuan kaq keq, duke u lënë qytetarëve një faturë qindra miliona euroshe.
Problemi nuk është se parandalimi është ide e gabuar, përkundrazi, është një nga shtyllat më të rëndësishme të menaxhimit modern të mbetjeve. Por problemi është mungesa e koherencës dhe përgjegjshmërisë. Nuk mund të kalosh nga një ekstrem në tjetrin pa pranuar dështimin dhe pa mbajtur përgjegjësi për të.
Ndërkohë që qytetarët vazhdojnë të përballen me ndotjen, me erën e rëndë të mbetjeve dhe me rrezikun për shëndetin, politika vazhdon të prodhojë plane dhe programe që shpesh mbeten vetëm në letër.
Ndërkohë, qeveria vijon dhe nxjerrë strategji të reja çdo ditë, që kushtojnë miliona euro dhe nuk kanë patur kurrë efikasitetin e duhur.
“Ideja e re” e Ministrisë së Mjedisit, prezantuar nga ministri Sofjan Jaupaj