Një grup minatorësh dhe pensionistësh janë mbledhur sot për të protestuar përpara Parlamentit, pak minuta para nisjes së seancës plenare.
Me pankarta në duar ata kërkojnë rritje të pensionit dhe miratimin e statusit të minatorit, që iu është premtuar prej vitesh, por qeveria e ka lënë në harresë.
Ata janë konfrontuar edhe me efektivët e Policisë, teksa këta të fundit kanë përdorur edhe forcën për t’i larguar, çfarë ka bërë që njëri prej pensionistëve të mos ndihet mirë dhe të rrëzohet përtokë, ndërkohë që disa prej protestuesve i kanë ardhur në ndihmë.
Kjo nuk është hera e parë që minatorët dhe pensionistët dalin në protestë, por pavarësisht thirrjeve të tyre, asnjë kërkesë nuk është marrë parasysh. Vetëm disa metra larg tyre janë deputetët e Kuvendit, të cilët nuk kanë denjuar as t’i dëgjojnë problemet e tyre.
Janë këta deputetë që rritën rrogat e tyre, marrin miliona lekë në muaj dieta, teksa vetëm faturën e telefonit të paguar nga shteti në muaj e kanë edhe më shumë sesa pensioni i atyre që kanë punuar gjithë jetën.