Një turiste në Ministrinë e Turizmit
1 Gusht 2023, sezoni turistik në kulmin e tij dhe Shqipëria e mbushur kudo me turistë, që për fatin tonë të mirë apo të keq, dinë ta vlerësojnë natyrën e vendit tonë më mirë se ne shqiptarët.
Zgjohesh në mëngjes, merr telefonin dhe nis të shohësh çfarë ka facebook-u. Duke shfletuar, të del përpara një postim i Mirela Kumbaros, që tregon sa mirë ia kanë kaluar gjatë mbledhjes dy ditore në Tepelenë, buzë Vjosës. Ecën më poshtë pasi e sheh si postim i parëndësishëm, por prit!!!
Buzë Vjosës?! Njohuritë nga gjeografia nuk i kam shumë të mira për lumenjtë apo liqenet, por jam i sigurt se qeveria nuk ka qenë buzë Vjosës. Hap komentet dhe shikoj që ashtu si unë, edhe qindra të tjerë e kishin kapur gabimin e ministres. “Buzë Drinos, jo Vjosës”, komentonin shumë prej tyre.
Komentet ranë edhe në syrin dhe syzet e diellit të ministres, që me shpejtësi vendosi ta rregullonte gabimin, por tashmë ishte tepër vonë. “Screenshot-et” e kishin kapur gafën, ashtu si edhe facebook që nuk të lë të gënjesh, pasi e ruan postimin e mëparshëm. Pra, ministres tonë të Turizmit duhet t’i tregojmë edhe lumenjtë, njësoj sikur ua tregojmë edhe turistëve që vijnë për herë të parë.
Por kjo nuk është gafa e parë që bën ministrja. Vetëm pak javë më parë, Kumbaro u përpoq të kopjonte në mënyrën më të shëmtuar kolegët në Malin e Zi. Këta të fundit detyruan pronarët e shezlongeve që pas orës 17:00 t’i jepnin falas për pushuesit, ndërkohë që edhe ministrja jonë e Turizmit e vendosi një rregull të tillë, por në orën 19:00, kur dielli fillonte të perëndonte dhe çadrat nuk i duheshin as dreqit.
Edhe këtë Kumbaro tentoi ta fshihte, duke deklaruar edhe publikisht se nuk e kishte bërë një postim të tillë, pasi e fshiu menjëherë sapo qytetarët filluan të komentojnë dhe të ironizojnë vendimin e saj. Por asgjë nuk mbetet e fshetë, sidomos kur tenton të tallesh me qytetarët që të paguajnë miliona në muaj.
Nuk mbarojnë me kq bëmat e Mirela Kumbaros, ministres turiste në Ministrinë e Turizmit. Shtatorin e vitit 2022, e pyetur për problematikat që kishin hasur qytetarët në plazhe, deklaroi se kishte dalë e maskuar për t’i inspektuar personalisht.
“Në mes të Dhërmiut, mes dy plazheve private unë kam bërë inspektime në terren gjatë gjithë sezonit, e fshehur nën syze dhe kapele, anonime.
Nuk më ka njohur askush dhe kam lëvizur nëpër territor sa herë që kishte reagime në Facebook, shkoja vetë dhe e verifikoja e maskuar. Kam parë plazhe në Dhërmi, mes dy plalzheve private, plazh publik që ishte përgjysmë bosh, ndërkohë që dy plazhet anash ishin plot”, deklaronte ministrja me krenari. Por a mund t’i besojnë qytetarët këto?
Duke parë që në shtator mund të kemi ndryshime në qeveri, kryeministri Rama mbase duhet të mendojë edhe disa ndryshime në Ministrinë e Turizmit, pasi ai post duhet të ketë një person që e njeh mirë turizmin dhe Shqipërinë, dhe jo një “James Bond” që tenton të manipulojë qytetarët duke fshirë postimet që e kanë bërë “meme”.
Më shumë se një minister, Mirela Kumbaro i ngjan një turisteje, që ka fatin e mirë të shëtisë në të gjitha vendet turistike në Shqipëri falë buxhetit të shtetit, por që ansjëherë nuk arriti t’i mëosjë siç duhet vendndodhjet e tyre.