Katër ditë më parë mediat online raportuan sa me humor e sa me ironi një deklaratë të ministres së Turizmit Mirela Kumbaro, se pas orës 19.00 të gjithë mund të frekuentonin falas plazhet e Himarës.
Njoftimi që ministrja Kumbaro bëri në llogarinë e saj në Instagram qëndroi për shumë orë publik, derisa stafi ose ajo vetë u detyrua ta fshinte. Dosja.al raportoi këtë “risi” të ministres socialiste dhe arriti madje të provonte se kjo ishte një nisëm e kopjuar nga Mali i Zi.
Në vendin fqinj, autoritetet kanë vendosur prej kohësh që plazhi të jetë falas për të gjithë pushuesit pas orës 17.00 të pasdites, kurse në Shqipëri Ministria e Turizmit vendosi që ky orar të ishte pas orës 19.00.
Nisur nga reagimet e shumta, postimi u fshi të nesërmen, ndërsa sot ministrja Mirela Kumbaro ka deklaruar se e gjitha është një fotomontazh. Edhe pse njoftimi ishte publik dhe qëndroi për më shumë se 10 orë në llogarinë në Instagram, ministrja thotë se nuk ka bërë asnjë postim të tillë.
“Ky është një fotomontazh që nuk ka ekzistuar kurrë, që nuk e kam postuar kurrë, që nuk e kam thënë kurrë. Më vjen shumë keq që të marrim kohë, hapësirë për t’u marrë me një shpifje të radhës”, u shpreh ministrja Mirela Kumbaro në emisionin Ëake UP, në Top Channel.
Ndërkohë, nga një analizë e fotografisë nga llogari të specializuara në internet për verfikimin e përmbajtjes së tyre, del se fotografia e publikuar nga mediat është e pandryshuar dhe nuk përmban të dhëna që të kenë ndërhyrje.
Image Verification Assistant përbëhet nga një grup algoritmesh të mjekësisë ligjore të imazheve që përpiqen të gjejnë gjurmë falsifikimesh në përmbajtjet e kërkuara. IVA është zhvilluar në kuadër të projekteve të mëparshme të Bashkimit Europian (InVID, Reveal).
1 nga 2
I ngjashëm me FotoForensics, Image Verification Assistant përdor Analizën e Nivelit të Gabimit (ELA) për të identifikuar zonat brenda një imazhi që janë në nivele të ndryshme kompresimi. Me imazhet JPEG, e gjithë fotografia duhet të jetë afërsisht në të njëjtin nivel gabimi. Nëse një pjesë e imazhit është në një nivel gabimi dukshëm të ndryshëm, atëherë ka të ngjarë të tregojë një modifikim dixhital.
Në rastin konkret, IVA tregon se fotografia është modifikuar vetëm në pjesën e shkrimit të nënvizuar, e cila shfaqet me kontrast tepër të lartë. Dy fotografitë e mësipërme tregojnë të dhënat e nxjerra nga Image Verification Assistant./Newsbomb