Zbulohet “laboratori” nëntokësor i kanabisit në Shkodër! Sekuestrohen 170 kg lëndë narkotike, 10 të arrestuar

Një ambient nëntokësor, i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit, është zbuluar nga Policia e Shkodrës në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”, teksa u arrestuan 10 persona.

Konkretisht: Dorjana Kovaçi, Migena Perçi, Agim Kovaçi, Endrit Kovaçi, Ronaldo Dule, Arben Guri, Artur Lika, Fatmir Luka, Ervin Toli dhe  Anton Toli.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo, si dhe 170 kilogramë lëndë narkotike e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.

Nga verifikimet policore rezultoi se njëri prej të arrestuarve, ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër dhe të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Labirinti”.

Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u ushtruan kontrolle në dy objekte në zonën e quajtur “Kanali i Drinit”.

Gjatë kontrollit në njërin prej objekteve, një magazinë, shërbimet e Policisë zbuluan një hyrje të kamufluar që të çonte në një ambient nëntokësor. Ambienti ishte i ndarë në dy pjesë, njëra e përshtatur për kultivimin e kanabisit me anë të llambave dhe tjetra për përpunimin e lëndës narkotike.

Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë 10 shtetasit e konstatuar në këtë ambient:

-D. K., 36 vjeçe, dhe M. P., 38 vjeçe, të dyja banuese në Gjirokastër;

-A. K., 61 vjeç, E. K., 41 vjeç, dhe R. D., 28 vjeç, të tre banues në Cërrik;

-A. G., 37 vjeç, banues në Tiranë;

-A. L., 46 vjeç, banues në Poliçan;

-F. L., 18 vjeç, dhe A. T., 30 vjeç, të dy banues në Ishull-Lezhë;

– E. T., 25 vjeç, banues në Mirditë.

Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. L., 46 vjeç, ishte shpallur në kërkim nga DVP Shkodër.

Gjatë kontrollit në këto ambiente u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis, si dhe 170 kg lëndë bimore e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në të.