Reforma zgjedhore, dy ekspertë të Komisionit të Venecias më 25 nëntor në Tiranë

Komisioni i Venecias i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për dhënien e ekspertizës lidhur me ligjin për financimin e partive politike.

Në përgjigjen zyrtare, Komisioni njofton se më 25 nëntor do të dërgojë në Shqipëri dy ekspertë, të cilët do të shqyrtojnë çështjen dhe do të ofrojnë asistencën e kërkuar për këtë proces.

Paralelisht me shkresën që iu dërgua Venecias, dy bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi kërkuan edhe asistencën e ekspertëve të OSBE/ODIHR.

Kjo është java e fundit e punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore pasi mandati i tij përfundon ne datën 30 nëntor.

Në rast se deri atëherë nuk arrihet një dakordësi me opozitën, mazhoranca ka paralajmëruar se do ta çojë e vetme draftin në Kuvend.