Maxhoranca shkel vendimin e Kushtetueses, Olta Xhaçka gëzon mandatin dhe resortin

Maxhoranca shkeli hapur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për dërgimin e mandatit të deputetes dhe ministres së Jashtme, Olta Xhaçka për shqyrtim në themel. Këshilli i Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë shtyu dje pa afat çuarjen e çështjes në Gjykatë Kushtetuese, ndryshe nga sa vendosi Gjykata Kushtetuese.

Drejtuesja e seancës, Ermonela Felaj kërkoi kohë më tej me pretendimin e shtyrtimit të një raporti ligjor të kryer nga një ekspert i pavarur, i paguar me fondet publike. Eksperti Krenar Loloçi ka dorëzuar raportin në Kuvend dhe sugjeron që çështja të shkojë sa më parë në Gjykatë Kushtetuese.

Por sërish, maxhoranca ka vendosur të mbajë peng çështjen, duke i mundësuar kohë zonjës Xhaçka të gëzojë mandatin e deputetes dhe statusin e investitores strategjike për ndërtimin e një resorti luksoz në një nga plazhet e Dhërmiut.

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, ironizoi vendimin e maxhorancës dhe kërkoi që Kuvendi të adresojë menjëherë çështjen në Gjykatën Kushtetuese e cila duhet të vendosë në themel nëse Olta Xhaçka ka papajtueshmëri me mandatin e deputetes ose jo.

“Mos e zvarrisim më, edhe dy seanca kanë mbetur të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse doni pastaj, nëse nuk ka avokat të marrë ndonjë nga ju. Por që ta çojmë aty duhet ta çojmë se kemi një vit që e kemi paraqitur mocionin dhe e zvarrisim. Ajo po mbaron resortin atje, rrezik shkojmë marrim nga një çadër dhe bëjmë plazh aty , ju vazhdoni akoma është investitorë apo nuk është investitorë”, ironizoi Bardhi.

Mbetet e paqartë se kur Kuvendi do i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Kjo vonesë i jep kohë ministres  Xhaçka e cila ndodhet aktualisht nën mbrojtjen politike të hapur të kryeministrit Edi Rama.

Familjarët e ministres, bashkëshorti i saj, Artan Gaçi dhe kunata e saj janë shpallur investitorë strategjikë për ndërtimin e një hoteli lukzoz në Dhërmi.

Në vendimin e qeverisë, kompania ‘AGTTC Hotel Management’ sh.p.k,, përfitoi edhe një VKM për faljen e tokës si dhe të gjitha lehtësirat që ofron statusi I investitorit strategjik. Më pas, bashkëshorti i Xhaçkës bashkëngjiti edhe një kompani me të njëjtin emër të drejtuarnga motra e vëllait të Xhaçkës, amerikania, Tawni Lin Grzych-Sutton, e cila nuk ka asnjë kapital financiar.

Në planin e biznesit, Gaçi pretendon një investim të kushtueshëm dhe pa zbuluar mënyrën e financimit ç’ka do të kërkonte një tjetër hetim për familjarët e ministres së Jashtme.