Manjani-Ramës: Lëri policët e Kosovës por liro Fredi Belerin, po mbahet në kundërshtim me ligjin

Pas reagimit të Ramës i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, juristi Ylli Manjani i ka bërë thirrje “të respektojë njëherë vullnetin e popullit të Shqipërisë, pastaj të japë mend për të tjerët”.

Ish ministri i Drejtësisë thotë se kryetari i zgjedhur në krye të Bashkisë Himarë Fredi Beleri po mbahet në burg në mënyrë të jashtëligjshme.

Reagimi i plotë i Manjanit:

Lëri policët e Kosovës që ka arrestuar Vuçiçi, po lejo të zgjedhurin e Himarës të shkojë në zyrë, o zotni! Rrespekto pa kushte vullnetin e popullit tënd njëherë, pastaj jep mend për punët e të tjerëve.

Fredi Beleri mbahet në paraburgim pa asnjë argument bindës dhe në kundërshtim flagrant me ligjet e shkruara të këtij shteti.Mbahet në paraburgim me sajesa policësh të qeverisë dhe së fundi edhe me dëshmi penaliteti fallco.

Mbahet në paraburgim në dhunim të plotë të Kushtetutës së Shqipërisë, të Lirive e të drejtave themelore dhe gjithashtu të parimit Europian të autonomisë vendore.