“Lufta e ftohtë” mes Albin Kurtit dhe Ali Ahmetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kundërshtarët politikë nuk i ka vetëm brenda shtetit që qeveris, por edhe në rajon.

Teksa duket se mes tij dhe kryeministrit Rama mosmarrëveshjet janë sqaruar, Kurti ka hapur një shteg të ri “lufte të ftohtë” me kreun e BDI-së në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmetin.

Në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare që u zhvilluan pak ditë më parë, Albin Kurti doli hapur në mbështetje të koalicionit “VLEN” të shqiptarëve, të cilët janë kundërshtarë të Ali Ahmetit.

Ndërhyrja e Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut u kritikua shumë në vendin fqinj, sidomos nga mbështetësit e Ali Ahmetit, që pas zgjedhjeve të fundit do të jetë në opozitë, pas shumë viteve si pjesë e qeverisë.

Por në një deklaratë të fundit, Ali Ahmeti ka shfrytëzuar mundësinë për të sulmuar Albin Kurtin në lidhje m sanksionet që Bashkimi Europian dhe SHBA ka vendosur për Kosovën.

Ai tha se nuk ndjehet mirë kur lexon në media për ndëshkimin e ndërkombëtarëve për Kosovën, teksa shtoi se alarmi duhet të bjerë mbi qeverinë e Kosovës, duke nënkuptuar se qeveria është fajtorja kryesore e këtyre sanksioneve.

“Nuk ndjehem mirë kur shohë nëpër media ndërkombëtaret por edhe në mediat kombëtare, që Amerika ka vendosur sanksione ndaj Kosovës, se Evropa ka vendosur sanksione ndaj Kosovës. Unë mendoj që të gjithë klasën politike në Kosovë, në veçanti qeverinë e Kosovës duhet ta vënë në alarm sepse të gjithë këta aleat, ShBA me aletet e vetë në NATO ishin ata që na ndihmuan në çlirimin e Kosovës. Lirinë e paguam me gjake, por çlirimin e bëmë më aleatët. Kështu që këto lajme që unë i lexoj nuk janë të mira për Kosovën, nuk i bëjmë mirë shëndetit të Kosovës”, tha Ali Ahmeti.

Tashmë, nuk dihet nëse në këtë përballje do të ndërhyjë edhe kryeministri Rama, i cili i shfrytëzon maksimalisht këto mundësi për t’u shfaqur si lideri i gjithë shqiptarëve.