Arrestohet në Spanjë Kevin Margjoni, i akuzuar nga SPAK për laboratorin e kokainës në Frakull

Kevin Margjoni, 49-vjeçari i shpallur në kërkim ndërkombëtar, është arrestuar në Spanjë. Ai kërkohej nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për laboratorin e kokainës të zbuluar në Frakull të Fierit.

Margjoni akuzohet nga SPAK si një nga personat e përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikut të narkotikëve. Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

49-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Shqipërisë për t’u përballur me drejtësinë.

Hetimet për këtë operacion nisën në vitin 2022, pas zbulimit të një laboratori të përpunimit të kokainës në banesën e familjes Çervanaku në Frakull të Fierit. Gjatë operacionit u sekuestruan mbi 480 kilogramë kokainë, e cila dyshohet se ishte trafikuar nga Kolumbia dhe ishte fshehur në një ngarkesë me pleh organik artificial.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan ish-kryekomunari Viktor Çervanaku, Nikolin Gjolena, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni alias Klajdi Kodra, Zenel Çervanaku, Redion Meshi, Enxhi Ferhati, Marildo Rona, Bledar Matoshi dhe Julian Malaj.

Të pandehurit janë dënuar në total me 89 vite burg, ndërsa vijon procesi gjyqësor ndaj shtetasit kolumbian Samir Rosales Rodriguez, i arrestuar në Ekuador, për të cilin pritet ekstradimi drejt Shqipërisë.