SPAK godet pasuritë e lidhura me grupin e Igli Kamberit dhe Ergys Kastratit, sekuestrohen kompani, llogari bankare dhe automjete luksoze

Prokuroria e Posaçme ka ndërmarrë një tjetër aksion ndaj grupit kriminal të goditur në bashkëpunim me autoritetet italiane të Antimafias së Barit, duke sekuestruar një sërë pasurish që dyshohet se burojnë nga aktiviteti i trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Sipas hetimeve, grupi dyshohet se transferonte fitimet e aktivitetit kriminal nga Italia drejt Shqipërisë përmes skemave të ndryshme financiare dhe investimeve në biznese.

Në total, SPAK ka vendosur nën sekuestro 10 llogari bankare, 8 automjete, 4 shoqëri tregtare, si edhe 680 mijë euro cash, të cilat ishin bllokuar më herët në pikën kufitare të Muriqanit. Shuma monetare ishte zbuluar gjatë vitit 2024 në një automjet që drejtohej nga Lefter Nelaj, ndërsa po tentohej futja e parave nga Mali i Zi drejt Shqipërisë.

Mes pasurive të sekuestruara rezulton edhe aktiviteti tregtar i Igli Kamberit, i regjistruar në fushën e shërbimeve ushqimore dhe cateringut në zonën e Kasharit.

Hetimet kanë përfshirë edhe familjarë të personave të dyshuar. Dy llogari bankare janë bllokuar në emër të bashkëshortes së Kamberit dhe nënës së saj, ndërsa autoritetet kanë sekuestruar edhe një biznes bujqësor në pronësi të vjehrrit të tij.

Në të njëjtin operacion janë goditur edhe pasuritë e Ergys Kastratit dhe bashkëshortes së tij, ndaj së cilës janë vendosur masa sekuestroje për dy llogari bankare.

Një tjetër emër i përfshirë në dosje është Bardhok Gjergji, të cilit i janë sekuestruar pesë automjete luksoze, një llogari bankare dhe aktiviteti i kompanisë së automjeteve me qira “AUTO RENT & SELL-ALBANIA”. Deri tani nuk është bërë e qartë lidhja konkrete e tij me strukturën kriminale të hetuar nga SPAK.

Nën hetim dhe me pasuri të bllokuara rezultojnë edhe tre persona të tjerë: Saimir Pirra, Sokol Fusha dhe Edi Brahaj, të cilët dyshohet se kanë përfituar nga aktiviteti i grupit kriminal.

Në konferencën e përbashkët me Antimafian e Barit, kreu i SPAK, Klodian Braho, tha se janë lëshuar 15 masa sigurimi personal, 10 prej të cilave nga institucioni që ai drejton.

“Ky operacion është rezultat ti një hetimi të përbashkët e të gjatë e të koordinuar. Janë caktuar në dy autoritetet e dy vendeve 15 masa sigurim personale, 10 janë caktuar nga SPAK. Është një element i rëndësishëm i këtij, jo vetëm goditja e krimit të organizuar por dhe goditja e produkte dhe pasurive që kanë rrjedhur nga aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë hetimeve janë sekuestruar në total rreth 10 mln euro cash, nga GJKKO janë sekuestruar pasuri të tjerë, shoqëri, automjete e llogari bankare.

Ajo që dua të theksoj është se kjo skuadër nuk vjen si pasojë e një terreni bosh, por vazhdimësi e disa skuadrave të mëparshme. Përmed operacinet “Shpirti”, “Kulmi”, “Ura” ku janë dënuar 170 persona, 145 prej të cilëve me dënime të rënda mbi 12 vjet.

Bashkëpunimi i sotëm është më i miri që ne në Shqipëri kemi pasur. Skuadrat e përbashkëta mund të funksionojnë. Kur ekziston vullneti dhe angazhimi, rezultatet hetimore janë të arritshme. Në emër të SPAK shpreh vlerësim për autoritetet gjyqësore italiane, në veçanti Prokuroria e Barit, Antimafian, Eurojust dhe hetuesit që kanë kontribuuar. Vlerësoj Policinë e Shtetit në Shqipëri që ka ekzekutuar urdhtat e arrestit. SPAK mbetet i gatshëm për bashkëpunim edhe në procedime të tjera”, tha Braho.

LISTA E PASURIVE

Desmira Ceco (bashkëshortja e Ergys Kastratit)
-Dy llogari bankare

Nevila Kamberi (bashkëshortja e Igli Kamberit) dhe Dituri Buzi (e ëma)
-Dy llogari bankare

Fatos Buzi (babai I Nevila Kamberit)
-Shoqëria “Fermer Fatos Buzi”

Igli Kamberi
-Shoqëria tregtare “Igli Kamberi”, person fizik

Bardhok Gjergji
-Shoqëria “Auto Rend&Sell – Albania”
-5 automjete dhe 1 llogari bankare

Saimir Pirra
-Dy llogari bankare e 1 automjet

Lefter Nelaj
-Shoqëria “Lefter Nelaj” person fizik
-Një llogari bankare

Edi Brahaj
-Dy automjete