Ditën e djeshme në Kuvend u miratua me 101 vota pro dhe 1 abstenim rezoluta që dënon sulmin e terroristëve serb në Kosovë.
Seanca u shoqërua me debate të shumta, teksa në Kuvend u rikthye pas një kohe të gjatë edhe kryeministri Edi Rama, që fjalimin e tij e zgjati rreth 1 orë e 30 minuta.
Por pavarësisht rikthimit në Kuvend, ai nuk qëndroi deri në fund, duke zgjedhur të mos e votojë rezolutën. Pjesë e votimit nuk u bë as Lulzim Basha dhe 4 deputetët që e mbështesin: Arbi Agalliu, Eralda Bane,Orjola Pampuri, Enkelejd Alibeaj.
Ndërkohë, i vetmi që abstenoi ishte Kreshnik Çollaku, pasi amendamentet e tij nuk u përfshinë në rezolutë.
Çfarë përmban rezoluta për Kosovën?
Në rezolutën e miratuar më 12 tetor theksohet se “Kuvendi i Shqipërisë mbështet plotësisht dhe njëzëri rezolutën e miratuar më 28 shtator në Kuvendin e Kosovës.”
Gjithashtu, sipas rezolutës, Kuvendi kërkon nga institucionet kushtetuese të Shqipërisë “që në të gjitha instancat ndërkombëtare dhe në kontaktet bilateral me partnerët të angazhohen fuqishëm dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës”.
Rezoluta inkurajon Qeverinë e Kosovës që të “punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva” me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.