Kushtetuesja pezulloi Ballukun, PD thirrje Peleshit: Mblidhni të hënën Këshillin e Mandateve

Partia Demokratike kërkon që të hënën të mblidhet Këshilli i Mandateve për imunitetin e zv.kryeministres, Belinda Balluki, teksa një ditë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e qeverisë, pas ankimimit të vendimit të GJKKO-së, që kishte pezulluar nga detyra numrin dy të qeverisë.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i bën thirrje kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi të njoftojë menjëherë mbledhje urgjente të hënën të Këshillit të Mandateve dhe përfshirjen të enjten në seancë plenare të kërkesës për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit për ish-Zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku.

Sipas Bardhit, Rama ngriti “alibi absurde” për të mbrojtur veten dhe Ballukun, por këto përpjekje dështuan.

REAGIMI:

Alibitë tashmë kanë rënë!

Edi Rama ushtroi presion të paprecedentë mbi Gjykatën Kushtetuese dhe ngriti alibi absurde për të mbrojtur veten dhe Belinda Ballukun. Të dyja dështuan! Edi Rama u rrëzua në pretendimin e tij për të bllokuar drejtësinë. Njëlloj do të rrëzohet kushdo që pengon drejtësinë.

Tani, Edi Rama nuk ka më ku të fshihet. Kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut pret miratimin nga Kuvendi. I bëj thirrje Kryetarit të Kuvendit të njoftojë menjëherë mbledhje urgjente të hënën të Këshillit të Mandateve dhe përfshirjen të enjten në seancë plenare të kërkesës për dhënien e autorizimit për heqjen e imunitetit për ish-Zëvendëskryeministren dhe ish-ministren Belinda Balluku.

Kuvendi nuk mund të mbajë peshën e përgjegjësisë për vonesën e paprecedent të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë dhe për pengimin e drejtësisë.

Koha e manovrave ka mbaruar!