Konferenca e Kryetarëve, Bardhi kërkesë Nikollës: Fut në rendin e ditës interpelancën me kryeministrin! Nuk ia lejon ligji ta refuzojë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka kërkuar në Konferencën e Kryetarëve që të futet në rendin e ditës për seancën e nesërme plenare interpelanca me kryeministrin Edi Rama, në lidhje me akuzat e Bardhit për përfshirjen në laboratorin e kokainës në Xibrakë të Olsi Ramës.

Më herët kryeministri Rama deklaroi se e kishte refuzuar interpelancën, por Bardhi thotë se kryeministri nuk ka asnjë tagër ta refuzojë, ashtu siç nuk ka tagër ligjor dhe kushtetues që të vendosë arsyet dhe temat e thirrjes në interpelancë.

“Kushtetuta dhe rregullorja të detyron të përfshish në rendin e ditës interpelancën me kryeministrin. Sot jam njoftuar publikisht nga kryeministri, për refuzimin e interpelancës. E ke i shndërruar Republikën parlamentare në Republikë kryeministrit. Nuk ka tagër ligjor dhe kushtetues që kryeministri të vendos arsyet dhe temat e thirrjes në interpelancë ashtu siç nuk ka tagër të refuzojë. Kjo është shkelje e hapur kushtetuese”, u shpreh Bardhi në Konferencën e Kryetarëve.