Komunitetet fetare në Shqipëri përmes një deklarate janë shprehur kundër projektligjit “Për barazinë gjinore”, i cili pritet të marrë dritën jeshile në Kuvend.
Përfaqësuesit e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Kishës Ortodokse e Katolike, Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Vëllazërisë Ungjillore shprehën shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, që sipas tyre bien ndesh me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare.
“Në veçanti, përkufizimi i termit “gjini”, si koncept gjithëpërfshirës, përdorimi i nocioneve, “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, si dhe të gjitha neneve të tjera të lidhura me to, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim”- thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.
Përfaqësuesit e komuniteteve fetare e vendosin theksin te rëndësia e familjes tradicionale, të ndërtuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua.
Për këtë arsye ata kërkojnë që projektligji të qartësojë përkufizimin e termit “gjini”, duke e lidhur me gjininë e përcaktuar në lindje, burrë-grua apo vajzë-djalë, në mënyrë që të respektohen parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit.
‘Krerët dhe drejtuesit e të gjitha komuniteteve fetare shprehën shqetësimin e tyre për disa nene dhe përkufizime të projektligjit, të cilat bien në kundërshtim me parimet teologjike dhe traditën e familjes shqiptare. Në veçanti, përkufizimi i termit “gjini”, si koncept gjithëpërfshirës, përdorimi i nocioneve, “identitet gjinor”, “shprehje gjinore”, si dhe të gjitha neneve të tjera të lidhura me to, krijojnë paqartësi ligjore dhe hapësira për keqinterpretim.
Ne, si komunitete fetare, theksojmë rëndësinë e familjes tradicionale të bazuar mbi dy gjinitë biologjike: burrë dhe grua. Për këtë arsye, kërkojmë saktësimin e përkufizimit të termit “Gjini” në projektligj, duke e lidhur qartë me gjininë e përcaktuar në lindje – burrë, grua, vajzë, djalë – në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit’, thuhet në deklaratë.