Komisionerja e BE për Zgjerimin do qëndrojë dy ditë në Shqipëri, zbardhet agjenda

Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësi të mirë, Marta Kos do të vizitojë vendin tonë në datat 13 dhe 14 mars.

Kjo është vizita e parë e Kos në Tiranë, e cila ishte paralajmëruar më herët.

Diplomatja europiane do të zhvillojë takime të nivelit të lartë. Sipas agjendës, fillimisht Marta Kos do të shkojë në Presidencë, ku do pritte nga kreu i shtetit Bajram Begaj dhe po në të njëjtën ditë do të ketë një konferencë për mediat me kryeministrin Edi Rama.

Pas një konference me temë zgjerimin e Bashkimit Europian që do të zhvillohet në Kolegjin e Europës, Marta Kos do të takojë kryeparlamentaren Elisa Spiropali dhe nënkryetarin  e Kuvendit Agron Gjekmarkaj, së bashku me kryetaren e Këshillit të Integrimit Jorida Tabaku si dhe kreun e grupit parlamentar të PD.

Komisionerja pë Zgjerim në Bashkimin Evropian në konferencën e Mynihut që u zhvillua në 16 shkurt të këtij viti theksonte se Shqipëria i ka të gjithë kapacitetet që të përmbyllë procesin e shqyrtimit të grupkapitujve të integrimit deri në vitin 2027.

Gjithsesi, detajet e kësaj vizite do të zbulohen më 13 dhe 14 mars.