Ka nisur sot në orën 09:00 rinumërimi i votave në Bashkinë e Kuçovës pas kërkesës që bëri kandidati i “Bashkë Fitojmë” Lefter Maliqi. Kolegji Zgjedhor pranoi ankimimin për rezultatin.
Lefter Maliqi dhe avokati i tij në Kolegjin Zgjedhor disa ditë më parë u shprehën të bindur se pas rinumërimit të kutive rezultati do të ndryshojë. Por thanë se zgjedhjet duhet të shpallen të pavlefshme pasi sipas tyre ka pasur shkelje të rënda para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor në bashkinë e Kuçovës.
Në garë për Bashkinë e Kuçovës ishte Kreshnik Hajdari i Partisë Socialiste, Lefter Maliqi i Koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Ilirjan Koxhaj i Partisë Demokratike.
Zgjedhjet u fituan nga kandidati Kreshnik Hajdari i PS-së. Për këtë të fundit SPAK ka nisur hetimet pasi Hajdari ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit një dënim të marrë në shtetin grek në vitin 1999.