Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë ka reaguar në lidhje me draftin e Kodit të ri Penal, i cili ka nxitur debate për shkak të disa neneve.
BE thotë se nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve dhe për rrjedhojë ende nuk ka një qëndrim mbi këto projekt-amendamente.
Më rendësi për BE-në është konsultimi gjithëpërfshirës me të gjitha institucionet e drejtsisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.
“Si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së. Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim”- thuhet në reagimin e BE për Top Channel.
Reagimi i plotë:
Bashkimi Evropian ka marrë njoftim mbi prezantimin e projekt-amendamenteve të Kodit Penal, rezultat i punës së një grupi ekspertësh të ngarkuar nga qeveria.
Bashkimi Evropian nuk ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve dhe ende nuk ka një qëndrim mbi këto projekt-amendamente.
Duke qenë se rishikimi i përgjithshëm i Kodit Penal është një proces i rëndësishëm dhe kompleks, me një ndikim të mundshëm afatgjatë në shoqëri dhe në sistemin e drejtësisë, BE-ja nënvizon rëndësinë e garantimit të një konsultimi gjithëpërfshirës dhe të plotë me të gjitha institucionet kryesore të drejtësisë dhe aktorët e shtetit të së drejtës, si dhe me shoqërinë civile, për të garantuar cilësinë më të lartë të legjislacionit që do të miratohet.
Si pjesë e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria pritet të ndryshojë një numër dispozitash specifike të Kodit Penal për t’u përafruar standardeve evropiane dhe legjislacionit të BE-së. Në periudhën afatshkurtër, BE-ja e inkurajon Shqipërinë t’i japë përparësi atyre ndryshime legjislative që janë të nevojshme për të përmbushur standardet ndërmjetëse të përcaktuara në Qëndrimin e Përbashkët të BE-së për Grup-kapitullin 1 (Themeloret). BE-ja është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në këtë drejtim.