Atentati me 4 të plagosur që ndodhi para pak ditësh në Lundër vijon te jetë i mbushur me pikëpyetje se kush ka qenë shënjestra e vërtetë.
Fillimisht u dyshua se autorët kanë dashur të vrisnin gruan e Roan Brahimit, e cila thuhej se kishte një mjet të njëjtë “G-Class” si ai me të cilin udhëtonin dy djemtë e pronarit të Pelikani Security, Kian Mullaj dhe Arenc Stafa që drejtonte mjetin, të cilët mbetën të plagosur nga breshëria e plumbave mbrëmjen e 17 Prillit
Dyshohet se autorët kishin ngatërruar mjetin dhe për pasojë u plagosën 4 të rinjtë, të cilët po ktheheshin nga festa e ditëlindjes së 11 vjeçarit D.Demiraj, i cili është dërguar për mjekim në Itali.
Por kjo pistë ka rënë pasi gruaja e Roan Brahimit, shtetësja A.B nuk ka qenë në Tiranë në momentin e atentatit, por në Lezhë, pasi 1 orë më përparë ishte vrarë në një atentat vjehrri i saj, Gjovalin Prendi, babai i Roan Brahimit.
Ndërkohë grupi hetimor është duke u fokusuar edhe në një pistë tjetër, pasi në vendin ku ndodhi ngjarja e rëndë ka kaluar një tjetër “G-Class” që ndoshta mund të ketë qenë objektiv i atentatorëve. Por ky mbetet ende një dyshim për hetuesit.
Pasditen e 19 Prillit, u gjet në fshatin Fikas, Mullet një motor i djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët. Në motorin e përdorur nga autorët nuk janë përftuar prova që mund të ndihmojë grupin hetimor për shkak se ishte shkrumbuar i tëri.
Kujtojmë se rivalit të Ervis Martinajt, Roan Brahimit i vranë babain rreth një orë para atentatit në Tiranë. Edhe për ngjarjen e Lezhës, policia nuk ka ende asnjë autor.