Jetojmë në kohën kur mund të shkruajmë historinë

“The Economist”

Në fillim shenjat ishin të vogla. Më 15 dhjetor 2019, fjala “pneumoni” dhe termi kinez Feidian (për sëmundjen SARS) nisën të përhapen në ËeChat, një aplikacion i famshëm kinez i mediave sociale, duke u shumuar shumë më shpejt sesa çdo lloj sëmundjeje.

Ndërkohë në shkurtin e vitit 2020, shumë njerëz jashtë Kinës kishin nisur të blinin shami, doreza dhe maska. Më pas, siç e shpjegon edhe libri “2020”, një histori e re mbi Covid-in, njerëzit nisën t’i mbanin fëmijët e tyre në shtëpi. Pa dhënë shumë detaje të tjera, lexuesi mund të marrë me mend se çfarë ndodhi më pas.

Më pas u shfaq pandemia e Covid-19. Pra historia. Ishin disa vite realisht alarmante. Historia, që supozohej se ishte “ndalur” pas rënies së Murit të Berlinit dhe albumit të parë grupit muzikor britanik “Spice Girls”, kishte nisur sërish rrugëtimin e saj.

Gjatë 5 viteve të fundit, kemi parë një pandemi (e pasuar nga shumë të tjera përgjatë historisë), pushtimin e Ukrainës (një histori e përgjakshme) dhe së fundi luftën Izrael-Hamas (një histori e mbivendosur brenda historisë). Pra historia vazhdon të ecë përpara me ritmin e dikurshëm, dhe njerëzit po shkruajnë për të.

Libri “2020” i Erik Klinenberg, profesor i sociologjisë në Universitetin e Nju Jorkut, i bashkohet një numri të madh librash të tjerë rreth kësaj sëmundjeje. Po ashtu kanë nisur të botohen edhe historitë mbi luftën në Ukrainë. Njëri prej tyre, ka dalë në treg në maj të vitit të kaluar. Edhe ngjarjet e luftës Izrael-Hamas, pritet të jenë subjekt i librave të ngjashëm në të ardhmen.

Kalimi i shpejtë nga lëshimi i raketave në publikimin e një librit, është një arritje mbresëlënëse. Por është më pak e qartë, nëse një shpejtësi e tillë krijon histori po aq mbresëlënëse. Historia është një fushë që karakterizohet nga ngjarje me kthesa të befta por edhe me dritë-hijet e tyre.

Kur eseisti skocez Tomas Kerlil, botoi një libër që analizonte Revolucionin Francez, një recensues i tha se ishte shumë herët (Edhe pse kishte kaluar gjysmë shekulli). Edhe sot ka njëfarë shqetësimi për nxitimin e historianëve për shkrimin e librave mbi ngjarjet e kohëve të fundit.

Sepse nuk është tamam e qartë se kur “e tashmja” e zakonshme (me të cilën duhet të merren  gazetarët) bëhet “e kaluara” monumentale (e cila duhet të analizohet nga historianët). Pas një muaji? Një viti? Një dekade? Me pak fjalë:Kur është shumë shpejt për të shkruar histori?

Ironikisht, ky është një shqetësimi i kohëve moderne. Dikur historia ishte shumë më pak historike. “Në periudhën klasike, ishte gati një normë, sipas të cilës nuk mund të shkruaje për diçka nëse nuk kishe qenë një dëshmitar okular”- thotë Tom Holand, historian dhe përkthyes i Herodotit , historian i Greqisë së lashtë.

Herodoti i quajtur edhe si “babai i historisë”, ishte jo pak i çuditshëm. Në “Historitë” e tij, ai shkroi për një sërë luftërash (ato greko-persiane) që kishte përjetuar personalisht. Tradita vazhdoi edhe më vonë. “Luftërat Galike” me autor Jul Çezarin, të japin ndjesinë e një njeriu që shkruan ndërsa balta dhe gjaku i Galisë ndotin ende sandalet e tij.

Shumë kohë më vonë, Uinston Çërçilli bëri që historitë e pandemisë të dukeshin të ngadalta. Vetëm 4 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore Ai botoi librin “Stuhia në afrim”, më shumë se 600 faqe prozë e mrekullueshme. Pak studiues, do të thoshin që këto vepra të paharrueshme vuanin nga një e metë serioze si nxitimi për të shkruar mbi ngjarje shumë të afërta në kohë.

Vepra e Çezarit studiohet ende sot për stilin e saj; Çërçilli fitoi çmimin Nobel në letërsi. (vlerësimi e zhgënjeu; ai kishte shpresuar të merrte Nobelin për Paqe). Libri “The Shoëman”, një biografi e kohëve fundit e presidentit ukrainas Volodimir Zelenski, nga Simon Shuster, një gazetar i revistës “Time”, është përshkruar si “plot informacione dhe tejet analitik”.  

Por librat mbi ngjarje shumë të freskëta, mund të ngrenë shpesh shqetësime të tjera. Për shembull, historia e shkruar shumë shpejt, ngre pikëpyetje mbi paanshmërinë. Librat e atyre që janë në vijën e parë të luftërave ose pandemive, duhet t’i nxisin lexuesit të pyesin nëse janë histori apo kujtime me një dozë të madhe egoizmi brenda.

Pas luftës, Çërçilli tha se analiza e së kaluarës duhet t’i lihej historisë, por shtoi:“Unë propozoj ta shkruaj vetë atë histori”. Pra si gjithë historianët, edhe Çërçilli ishte selektiv. Të admiruar si autor, atë nuk e bëri dhe aq cilësia e prozës se sa fitimi i luftës.

Sikur nazizmi të kishte gllabëruar të gjithë Evropën, libri i tij, i mbushur me fraza të shumta mbi mënyrën se si Britania zgjodhi të “marshonte kundër së keqes”, do të ishte pritur me siguri me më pak ngazëllim. Ose ndoshta nuk do të ishte shkruar asnjëherë.

Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ukrainasit dhe rusët i hoqën nga raftet librat e njëri-tjetrit, ndonjëherë duke i djegur ose duke i shndërruar në letra higjienike. Kuptimi i së kaluarës, nuk varet thjesht nga historitë që janë shkruar, por nga ecuria e mëtejshme e vetë historisë.

Megjithatë rëndësi ka edhe kalimi i kohës. Është shumë herët të thuhet nëse historitë e shpejta të shkruara mbi luftën në Ukrainë që po vazhdon ende, do t’i rezistojnë apo jo këtij testi. Por  nëse i referohemi librave mbi Luftën e Dytë Botërore, nuk ka gjasa që të ndodhë kjo gjë.

Sër Jan Kershou, një historian i famshëm anglez, thotë se ka pasur një “vonesë kohore” 20-30 vite midis fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe botimit të librave historitë vërtet shumë cilësorë mbi të. Kur Kershou studionte për histori në Universitetin e Oksfordit në vitet 1960, kurrikula mësimore përfundonte me ngjarjet deri në vitin 1914.

“Në atë kohë, dukej sikur ngjarjet pas kësaj date ishin shumë të afërta në kohë për t’u trajtuar me objektivitetin e duhur”- thotë ai. Disa nga problemet me të cilat përballet historiani që trajton çështje të afërta në kohë, janë të natyrës praktike. Së pari, duhet kohë që të jenë të disponueshme burime të mira.

Shumë libra të botuara kohët e fundit mbi Ukrainën, janë më shumë si grumbullime informacionesh të marra nga raportimet mediatike. Ka shumë pak analizë të fakteve dhe ngjarjeve. Dhe do të duhet akoma më shumë kohë që të de-klasifikohen dokumentet sekrete. Të dhënat e zbuluara nga thyerja e kodit Enigma nga matematikanët e “Bletchley Park”, e ndryshoi rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore.

Por meqë operacioni u cilësua tepër sekret deri në vitin 1974, kjo ngjarje mungon në të gjitha libra historikë të botuara më herët. Por vështirësitë më të mëdha, janë ndoshta të natyrës emocionale. Luftërat nuk janë gjëra të bukura. Siç e di kushdo që është përpjekur të diskutojë mbi luftën e fundit Izrael-Hamas, emocionet janë shumë të mëdha.

Ka shumë pak analiza të ftohta, pa pasione për njërën apo tjetrën palë. Interesi vetjak dhe justifikimi i vetvetes, mund të jenë të shfrenuara nga të gjitha anët, dhe kjo pasqyrohet në mënyrë të pashmangshme edhe në faqet e historisë. Për shembull marrim Luftën e Dytë Botërore.

Menjëherë pas saj, libra e historianëve francezë thurrnin lavde për Rezistencën Franceze. Ato të historianëve britanike përshkruanin guximin e popullit britanik në luftë. Në shumë raste, njerëzit nuk donin të flisnin fare për një “periudhë traumatike” thotë Kershou.

Një nga librat më të rëndësishëm mbi Holokaustin “Shfarosja e hebrenjve evropianë” e Raul Hilberg, u shkrua në vitin 1948. Por ai nuk u botua në Amerikë deri në vitin 1961, dhe nuk u përkthye në gjermanisht deri në vitet 1980. Historia i bën hile lexuesit. Duket sikur ka të bëjë me të kaluarën.

Ajo është plot me njerëz me rroba të çuditshme, të modës së vjetër, që bëjnë gjëra të çuditshme dhe të modës së vjetër. Por shpeshherë, ajo ka të bëjë po aq me të tashmen. Siç tha dikur filozofi italian Benedeto Kroçe, e gjithë historia është në fakt “histori bashkëkohore”.