Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Klered Bozhanajn, 42 vjeçarin që plagosi efektivin e policisë Edlir Alleshi.
Në seancën për caktimin e masës së sigurisë, ai deklaroi se është amerikan dhe jo shqiptar, duke shfaqur paqëndrueshmëri mendore edhe në gjykatë.
Edhe avokati i tij i mbrojtjes Roland Llalla, kerkoi ekspertim të gjendjes mendore dhe shtrim të detyruar spitalor, por gjykata caktoi arrest në burg.
Kujtojmë se sipas materialit policor, autori i plagosjes së policit ka dalë atë pasdite bashkë me gruan dhe dy fëmijët e tyre.
Nuk dihet ende se në çfarë rrethanash kishte në banesë një armë zjarri dhe se përse e kishte marrë me vete në momentin që ka dalë nga shtëpia. Gruaja e tij ka shpjeguar vetëm atë moment kur Kleredi ka parë punonjësit e policisë dhe është larguar me vrap, duke e ditur se kishte armën me vete.
Dy efektivët që gjendeshin me një motor policie e kanë ndjekur duke i kërkuar të ndalojë, por në momentin që ka tentuar të hyjë në një pallat, i vetëdijshëm se nuk kishte mundësi të largohej, ai është kthyer dhe ka qëlluar në drejtim të dy efektivëve.