Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar 5512 metër katrorë tokë në pronësi të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres Olta Xhaçka.
Kjo sekuestro preventive është vendosur pasi Gaçi po hetohet për falsifikim të aktit të marrjes së tokës në pronësi. Me anë të kësaj toke, Artan Gaçi ka përfituar statusin e investitorit strategjik pak kohë më parë.
Padia ndaj Gaçit është depozituar nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, ku të kallëzuar së bashku me artan Gaçin janë Olta Xhaçka, ish-kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro dhe disa pronarë tokash në Gjilekë.
Në objekt-padi Beleri thotë se nëpërmjet një Akti të Marrjes së Tokës në Pronësi, kanë rrjedhur përfitime të padrejta pasurore për trashëgimtarin e tokës dhe personave të tretë.
Por si e tjetërsoi Artan Gaçi tokën në Gjilekë, ku më pas fitoi edhe statusin e investitorit strategjik?
Sipas padisë, trashëgimtarët e shtetasit Foto Mëhilli kishin trashëgimi 1000 metër tokë, por duke tjetërsuar një pasuri që rrjedh nga një vepër penale si ajo e falsifikimit, e kanë shtuar tokën e tyre edhe me 4500 metra të tjerë në Gjilekë dhe ia kanë shitur Artan Gaçit.
Gjithçka është bërë edhe me nënshkrimin e ish-kryebashkiakut Jorgo Goro, i cili ka konfirmuar duke nënshkruar planvendosjen e ngastrës 36/36/1 pa marrë fare parasysh konfigurimin e saj në hartë në raport me kufijtë e shënuar në AMTP dhe pa e verifikuar në raport me ngastrën që i përputhej kësaj pasurie në hartën kadastrale 1:5000 mbi bazën e të cilës është kryer ndarja e tokës bujqësore në kooperativën Gjilek-Dhërmi.
Pas të gjitha këtyre veprimeve të kundraligjshme, Artan Gaçi mundi të përfitonte statusin e investitorit strategjik. Ndërkohë, në kundërshtim me ligjin është edhe Olta Xhaçka, pasi Gaçi e ka përfituar statusin në kohën kur ajo ishte Ministre e Jashtme. Xhaçka, duke mosdeklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit nuk i takojnë.
Beleri e akuzon Jorgo Goron se ka falsifikuar dokumentet, ka shpërdoruar detyrën, akuzë kjo e fundit që e ka ngritur edhe për ish-Minstren e Mbrojtjes, Xhaçka. Për bashkëshortin e kësaj të fundit, së bashku me trashëgimtarin e tokës, Beleri krahas falsifikimit të dokumenteve, i akuzon edhe për veprën penale të Pastrimit të Parave”.
Nëse SPAK zbulon se pretendimet e ngritura nga Beleri janë të vërteta, ish-ministrja Xhaçka, tashmë deputete e Partisë Socialiste, nuk do të humbiste vetëm postin, por së bashku me bashkëshortin Artan Gaçi, ish-kryebashkiakun Goro dhe persona të tjerë të përfshirë në tjetërsimin e pronave do të rrezikonin edhe dënimin me burg.


