“Inceneratori i Fierit”/ Alqi Bllako akuza të forta ndaj SPAK: Hakmarrje personale, do e çoj çështjen në Strasburg

Ish deputeti Alqi Bllako ka hedhur akuza të forta ndaj SPAK në Gjykatë, në seancën ku po gjykohej si i përfshirë në inceneratorin e Fierit.

Bllako tha se rikthimi tek akuzat fillestare nga ana e prokurorit Dritan Prençi, duke anashkaluar vendimin e gjyqtares paraprake, tregon se është orkestruar goditja e tij në kuadër të një axhende të caktuar. Alqi Bllako pretendon se nuk ka qenë zyrtar i lartë publik, por funksionar i lartë civil, teksa paralajmëroi se shkeljet e konstatuara do ti ankimojë në KLP dhe deri në Strasburg.

“Shkelja e ligjit është aq flagrante se nuk di nëse ka të bëjë me injorancën profesionale apo një hakmarrje personale.  Vetëm SPAK mund të akuzojë për një detyrë që nuk ka qenë detyra ime. Standart i hapur esktraligjor, duke çuar përpara një axhendë hakmarrjeje personale ndaj personit tim.Kush konsiderohet funksionar i lartë shtetëror e përcakton Kushtetuta. E ftova prokurorin në seancën paraprake të citonte një ligj të vetëm se ku bazohet, nuk dha sqarime sepse diçka e tillë nuk ekziston. Është njësoj si gjykata të çojë për gjykim çështjen me akuzën shpërdorim detyre, ndërsa në konkluzionet përfundimtare prokuroria të ngrejë akuzën vrasje me paramendim. Është haptazi shpërdorimi i prokurorit, me qëllim hakmarrjen personale. Një atentat ndaj gjykatës paraprake. Një shkelje e tillë jo vetëm do ankimohet në KLP, por deri në Strasburg”, ka thënë ai.

SPAK kërkoi arrestimin e Alqi Bllakos në mars të vitit të kaluar, pas dyshimeve ndaj tij për “korrupsion” dhe “shpërdorim të detyrës” gjatë procedurës tenderurese për inceneratorin e Fierit. Prokuoria pretendon se nga hetimet rezulton që, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka, Bllako ka falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori i Fierit, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh. Sipas SPAK, Bllako në atë kohë sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, me këtë falsifikim ka mashtruar Këshillin e Ministrave, si edhe ka përfituar ryshfet për favorizim të paligjshëm të kompanisë koncensionare..