Ina Zhupa rendit 13 shkeljet për ligjin e Akademisë së Shkencave: Skënder Gjinushi e përgatiti vetë për të vazhduar si kryetar

Deputetja e PD,  Ina Zhupa ka treguar gjatë një konference për mediat, të gjithë procedurën antiligjore që është ndjekur për të miratuar ligjin për Akademinë e Shkencave.

Zhupa ka publikuar disa dokumente që tregojnë se ligji për Akademinë e Shkencave është një ligj që bëhet vetëm për Skënder Gjinushin.

Ajo ka renditur me radhë shkeljet që janë bërë nga ky i fundit dhe mazhoranca ndërsa tha se Gjinushi, e kishte shkruajtur vet projektligjin për vete, dhe ja kishte dhënë deputetit Beqiraj, për ta prezantuar.

Zhupa i ka kërkuar presidentit Bajram Begaj që të mos e dekretojë këtë ligj.

Pjesë nga deklarata e deputetes:

“Mazhoranca bëri çdo shkelje të mundshme, hapur, pa fshehur asgjë dhe të gjithë ishim dëshmitar, që këtë ligj ta miratonte vetëm me një qëllim, krijimin e mundësisë ligjore, që kriteret e emërimit të Kryetarit të Akademisë së Shkencave, në procesin e radhës, të ndërtohen në atë mënyrë sipas moshës, karakteristikave që plotëson vetëm shtetasi Skënder Gjinushi.

Do ishte më e ndershme, që këtij projektligji ti vendosej titulli “Për disa ndryshime e shtesa për emërimin e z.Skënder Gjinushi, si Kryetar i Përjetshëm i Akademisë së Shkencave”. Ata janë puçista që organizojnë përmes metodave bërjen fakt të marrjes apo dhënies së pushtetit politik, në këtë rast brenda institucioneve arsimore akademike si Akademia së Shkencave.

Në relacionin që shoqëron projektligjin mungojnë objektivat që synohen të realizohen me miratimin e tij, në funksion të së mirës publike apo si zgjidhje të një problemi. Rregullorja e Kuvendit kërkon objektivat dhe argumentet se si mund të arrihen ato.

Në mbledhjen e Komisionit të Edukimit, është paraqitur i pa ftuar, për interesin e tij personal, z.Skënder Gjinushi, i cili e pranoi hapur, me zë dhe figurë, që kry projektligj është një propozim i tij. Pra që këtu, humbi autoriteti propozues i nismëtarit, pra deputetit, dhe këtë rol, e mori vet Skëndër Gjinushi. Pra, rezultoi e provuar përpara anëtarëve të Komisionit të Edukimit, se zoti Gjinushi, e kishte shkruajtur vet projektligjin për vete, dhe ja kishte dhënë zotit Beqiraj, për ta prezantuar, por duke qenë se ky i fundit, nuk po mundte dot ta mbronte nismën, ai, pra Gjinushi, vjen pa ftuar dhe sillet si zot në Komision, sikur të ishte deputet dhe zëvendëson rolin e depetetit.

Kuvendi u gjend para faktit që ishte mashtruar.

Mosdeklarimi i takimeve është shkelje e etikës. Është shkelur hapur, Kodi i Sjelljes së deputetit. Mendimi i akademikëve mungonte!

Asnjë akademik nuk kishte sjell asnjë mendim, siç solli akademiku Fuga.

Shkelja tjetër që bën Kuvendi është ndërhyrja në një proces zgjedhor të Akademisë së Shekncave, përmes kohës së shqyrtimit të projekligjit.

Projektligji për akademinë e shkencave mund të shqyrtohej deri në maj 2023 dhe jo më vonë. Pse?

Sepse pas kësaj periudhe Akademia e Shkencave sipas ligjit në fuqi, pra atij akutal hynte në periudhë zgjedhore.Në muajin Maj mbaroi mandati i nenkryetarit dhe në 19 korrik 2023 mbaroi dhe mandati i Kryetarit Gjinushi.