Humbi jetën pas një sherri me disa të rinj në Kretë, 20-vjeçari shqiptar përcillet sot në banesën e fundit, ekspertiza tregon shkakun e vdekjes

Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e djeshme në Kretë ku një 20 vjeçar shqiptar humbi jetën pas një sherri me disa të rinj.

Nga raporti mjekësor, u zbulua se vdekja e Orgito Llocit, ka ardhur për shkaqe patologjike dhe komplikime në zemër.

Sipas medias greke flashnews.gr, mjeku ka konstatuar se 20-vjeçari kishte një histori me probleme me zemrën. Për shkak të sherrit në të cilin u përfshi, ai ka qenë i stresuar duke pësuar komplikacione dhe më pas është rrëzuar në rrugë.

Ditën e djeshme janë publikuar pamje nga momentet e fundit të 20-vjeçarit shqiptar. Mediat greke kanë publikuar pamjet kur i riu është rrëzuar në tokë dhe ka humbur jetën pas sherrit me disa të rinj të tjerë.

Orgito Lloci, pas përfundimit të konfliktit nuk u ndje mirë. Menjëherë është thirrur ndihma e parë, duke e transportuar 20-vjeçarin shqiptar drejt spitalit të Hanias, ku ndërroi jetë.

Të afërmit dhe miqtë e tij do ti japin sot lamtumirën e fundit 20-vjeçarit. Varrimi i Orgitos do të bëhet në orën 12:00 në varrezat e Agios Loukas, në Chania.