Hashim Thaçi mbërrin në Kosovë, viziton babanë e sëmurë në QKUK

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbërritur në Kosovë me një leje të përkohshme nga Gjykata Speciale në Hagë.

Thaçi aktualisht ndodhet në QKUK, ku babai i tij po trajtohet prej një kohe. 

Ai kishte bërë kërkesa te Dhomat e Specializuara të Hagës këtë vit për ta vizituar babanë e tij të sëmurë, por i ishin refuzuar disa herë.

Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte si dhe së fundi iu është ngritur një aktakuzë kundër administrimit të drejtësisë.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara në Hagë, Michael Doyle, ka konfirmuar vizitën e Thaçit për shkaqe humanitare. 

“Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Sekretariatin që ta menaxhojë një vizitë me mbikëqyrje në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babanë e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara”, njoftoi Doyle.