Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Rubin: Nuk ishte Hashim Thaçi që u thoshte komandantëve çfarë të bënin, por e kundërta

Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, po dëshmon sot në Hagë, teksa është thirrur nga mbrijtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Në dëshminë e tij, Rubin tha se Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të diktuar rregulla dhe kushte brenda UÇK-së, duke u detyruar të konsultohej me persona të tjerë për miratimin e vendimeve. Sipas tij, ishin komandantët e UÇK-së që i thonin Thaçit se çfarë të bënte dhe jo e kundërta.

“Jam takuar me komandantët dhe kam parë me sytë e mi marrëdhënien e tyre me Hashimin. Komandantët u thoshin çfarë të bënte. Nuk ishte Hashimi që u thoshte komandantëve se çfarë të bënin”, tha Rubin.

Ndër të tjera, Rubin foli për dy grupime të ndara brenda UÇK-së me një pjesë që i donte të gjitha menjëherë, të cilët i quajti ekstremistë dhe një pjesë tjetër më pragmatiste.

“Ai duhej të merrte leje prej tyre. Nuk ishte në gjendje të diktonte rregulla dhe kushte. Kur donim të bënim diçka të rëndësishme duhej të komunikonte me persona të tjerë që t’i jepte miratimin. Ky moment kaq i vështirë, çoi edhe në këtë përçarje. Kishte edhe nga këta persona ekstremistë që i donin të gjitha dhe i donin tani. Kishte edhe persona më praktikë si zoti Thaçi dhe [ekstremistët] humbën betejën sepse e bindëm delegacionin që pavarësinë do ta kishin, por fillimisht shpëtojeni popullin. Përshtypja ime për pushtetin e Thaçit ishte që thjesht pasqyronte vendimmarrjen. Ishte thjesht një pasqyrim i lëvizjes udhëheqëse, por jo personi përgjegjës në atë lëvizje”, tha Rubin.

Këtë të hënë  para Dhomave të Specializuara në Hagë ka nisur mbrojtja në gjykimin e katër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja e Thaçit është ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.

Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit përfshin burgosje të paligjshme, torturë, vrasje dhe persekutim, akuza që ata i kanë mohuar.