Gjykata lë në burg Valter Bamin, avokati: Në momentin e atentatit ka qenë në shtëpi, kemi prova

Valter Bami, i akuzuar për atentatin e Krujës, ka dalë sot para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë për ta lënë në “arrest me burg”, deri në fund të hetimeve. 37 vjeçari i njohur si “i forti” i Niklës është shfaqur i buzëqeshur në gjykatë.

Valter Bami u arrestua pasi iu gjetën disa mbetje baruti në dorën e majtë, disa orë pas atentatit.

Por ai ka refuzuar ta jetë përfshirë në ngjarjen, ku humbi jetën 29-vjeçari Ramazan Sino dhe u plagosën 2 nipërit e tij të mitur (fëmijët e Gentian Bejtjas).

Lidhur me vendimin e Gjykatës ka folur edhe avokati i të pandehurit. Ai është shprehur se klienti i tij në momentin e ngjarjes ka qenë në banesë dhe për këtë ka prova. Avokati ka mbështetur deklaratën e Bamit se baruti në duart e tij mund të jetë gjetur për shkak se bën qitje herë pas here.

Kujtojmë se sipas burimeve të policisë mbetjet e barutit u gjetën në kyçet e duarve të Bamit, ç’ka tregon se ai mund të ketë përdorur doreza për të kryer krimin.