Raporti amerikan: Pandëshkueshmëria mbetet problem serioz në Shqipëri, zyrtarët ende i shpëtojnë drejtësisë

Pandëshkueshmëria vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha të shtetit shqiptar, sipas një raporti të publikuar nga OSAC, organizatë e lidhur me Departamentin Amerikan të Shtetit. Dokumenti evidenton se, pavarësisht progresit të bërë në vitet e fundit, shumë individë me ndikim politik, ekonomik dhe administrativ vazhdojnë t’i shmangen ndjekjes penale.

Raporti vlerëson se ngritja e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sjellë një ndryshim të dukshëm në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. Që nga krijimi i saj në vitin 2019, SPAK ka rritur numrin e hetimeve, arrestimeve dhe procedimeve penale ndaj zyrtarëve të dyshuar për shkelje të rënda të ligjit.

Megjithatë, analiza thekson se rezultatet vazhdojnë të kufizohen nga korrupsioni i përhapur, mungesa e bashkëpunimit efektiv mes institucioneve dhe një sistem drejtësie që ende nuk ka arritur konsolidimin e plotë.

Sipas raportit, sfidë mbetet edhe shkëmbimi i informacionit ndërmjet agjencive shtetërore, ndërsa koordinimi i pamjaftueshëm institucional vazhdon të ndikojë negativisht në efikasitetin e organeve ligjzbatuese.

OSAC vëren se SPAK ka një rol kyç në hetimin e çështjeve që lidhen me terrorizmin, korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, përfshirë INTERPOL-in. Ndërkohë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm trajtojnë çështjet që nuk janë në kompetencën e kësaj strukture.

Në raport thuhet se ndonëse reforma në drejtësi ka sjellë rezultate të prekshme përmes SPAK-ut, Shqipëria ka ende rrugë për të bërë për të garantuar që askush, pavarësisht pushtetit apo ndikimit, të mos jetë mbi ligjin.