Presidenti amerikan Donald Trump ka vënë në dyshim pretendimet e Ukrainës se Rusia po i furnizon Iranit imazhe satelitore të pozicioneve ushtarake amerikane në Gjirin Persik, duke deklaruar se do ta diskutojë këtë çështje drejtpërdrejt me presidentin rus Vladimir Putin.
“Do ta pyes Putinin për këtë. Do ta zbulojmë,” u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One.
Trump u shpreh se, edhe nëse Rusia ka ofruar ndihmë, ajo nuk ka pasur ndikim të madh, pasi sipas tij, Shtetet e Bashkuara i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme Iranit. Ai deklaroi se Republika Islamike ka mbetur praktikisht pa ushtri, forcë ajrore dhe flotë detare.
Presidenti amerikan shtoi se nuk beson që Moska ka ofruar një ndihmë të tillë, të paktën jo në shkallë të gjerë, dhe se çdo mbështetje e mundshme ka rezultuar joefektive. Si shembull ai përmendi Venezuelën, ku pajisjet ushtarake të furnizuara nga Rusia nuk arritën të ndalonin operacionin amerikan.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi më 25 korrik se satelitët rusë kanë monitoruar shtetet e Gjirit dhe bazat ushtarake amerikane që nga fillimi i muajit korrik, ndërsa imazhet e mbledhura i janë përcjellë Teheranit. Sipas tij, Kievi ka identifikuar një “lidhje të qartë” mes këtyre të dhënave dhe sulmeve të kryera nga Irani.
Po atë ditë, forcat ukrainase goditën disa anije në Detin Kaspik. Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës bëri të ditur se njëra prej tyre transportonte ngarkesë ushtarake mes Iranit dhe Rusisë, duke shmangur sanksionet ndërkombëtare.
Ministria e Jashtme e Iranit deklaroi se sulmi shkaktoi një shpërthim në një anije tregtare iraniane, ku humbi jetën një marinar dhe u plagos një tjetër. Teherani thirri në Ministrinë e Jashtme të ngarkuarin me punë të Ukrainës, duke e cilësuar sulmin si një akt agresioni që mund të zgjerojë konfliktin.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi se sulmi “nuk mund të mbetet pa përgjigje” dhe akuzoi Izraelin se po përpiqet të përfshijë edhe Evropën në konflikt. Ai e diskutoi incidentin në biseda telefonike me shefen e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, dhe ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Zhvillimet vijnë pas një pauze në fushatën ajrore amerikane, pas 13 netësh sulmesh. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi më 27 korrik se Teherani nuk po zhvillon negociata me Uashingtonin, megjithëse po diskuton me Omanin për çështjet e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Trump tha se zyrtarët iranianë kanë kërkuar një takim dhe se ekziston një mundësi e mirë për arritjen e një marrëveshjeje, por paralajmëroi se sulmet do të rifillojnë nëse bisedimet dështojnë. Ai shtoi se situata në Ngushticën e Hormuzit është “shumë e mirë”.
Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e naftës globale. Bashkimi Evropian ka vlerësuar se mbyllja e saj ka shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të gazit dhe naftës, ndërsa në muajin maj miratoi sanksione ndaj zyrtarëve iranianë që i konsideron përgjegjës për ndërprerjet e lundrimit.