Pas më shumë se 13 vitesh në pushtet, të shoqëruara me akuza të shumta për skandale dhe keqmenaxhim të fondeve publike, Partia Socialiste akuzohet sërish për mungesë transparence, këtë herë lidhur me marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh me Shtetet e Bashkuara.
Në seancën e sotme plenare, mazhoranca miratoi marrëveshjen, ndërsa dokumentacioni i saj u trajtua si material konfidencial, duke mos bërë transparencë për mënyrën se si do të përdoren fondet.
Në këtë klimë, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, mori dokumentin nga zyra ku mbahej, duke deklaruar se qëllimi i tij ishte vetëm ta lexonte dhe të informohej mbi përmbajtjen e marrëveshjes. Sipas tij, procedura u ndoq sipas rregullave të Kuvendit dhe dokumenti nuk u publikua.
Lexo edhe: Shehaj sqaron incidentin në Kuvend: Mora marrëveshjen për ta lexuar, nuk kam shkelur asnjë rregull
Ndërkohë, Partia Socialiste ka kërkuar referimin e tij në SPAK, madje dhe arrestimin e tij pas këtij veprimi, pasi sipas tyre, Shehaj ka përvetësuar një informacion të klasifikuar.
Por, të njëjtët socialistë që sot akuzojnë Shehajn se mori një informacion të klasifikuar për të bërë transparencë, vetëm pak muaj më parë dekoruan një ish-koleg, Jurgis Çyrbjan.
Ky i fundit u dënua nga SPAK pasi informacionet e klasifikuara ua shpërndante grupeve kriminale, teksa pas daljes nga burgu mori edhe dekorimin nga partia e tij.
Pra, për socialistët duhet të dekorohesh nëse informacionet e klasifikuara ua jep grupeve kriminale, ndërsa duhet të arrestohesh nëse kërkon të bësh transparencë se ku shkojnë qindra milionë euro të shqiptarëve.
Standardet e dyfishta nuk janë një risi për socialistët, të cilët kanë treguar se kur bëhet fjalë për deputetët e tyre, nuk njohin ligj e as drejtësi, ndërsa kur bëhet fjalë për opozitën, ligjet duhet të jenë sipas urdhrave të “Maliqit”. Ndërkohë, PS ka kërkuar edhe një përjashtim me 60 ditë për Shehajn, që me siguri do të miratohet, duke e çuar në 5 muaj kohën që Shehaj ka qenë i përjashtuar nga Kuvendi që prej shtatorit.