Gjykata e Posaçme ka thirrur sot për të dëshmuar ish-kryeministrin Sali Berisha, i akuzuar për “korrupsion pasiv” për privatizimin e kompleksit Partizani, dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Por ashtu siç e ka thënë edhe më parë, Berisha e rikonfirmoi mbrëmjen e djeshme në një intervistë për Euronews Albania me gazetaren Erla Mëhilli, se nuk e njeh vendimin e gjykatës, pasi ky vendim bie ndesh me Kushtetutën.
“Unë kam deklaruar se mbështes çdo akt të zbatimit të ligjit nga kushdo, por kur them këtë, unë nuk mund të pranoj kurrë shkelmim të Kushtetutës. Sali Berisha në vitin 2012 ka dërguar në Parlament amandamentet kushtetuese për heqjen e çdo lloj kufizimi të veprimit të organeve të drejtësisë përballë deputetit, çdo lloj kufizimi, pra me një fjalë tjetër pse e kam bërë këtë? Sepse kam dashur që në Kushtetutë të jenë të gjithë të barabartë para saj”, tha Berisha.
Ai deklaroi se do të shkojë në çdo seancë gjyqësore, por jo në ato që janë në kundërshtim me Kushtetutën. Berisha kërkon që GJKKO të paraqesë në Kuvend kërkesën për ta marrë nën hetim, dhe pas miratimit të Kuvendit, ai do të shkojë të dëshmojë.
Ky veprim duhej të ishte bërë nga GJKKO përpara se të jepej masa e sigurisë për ish-kryeministrin, pasi ligji nuk e lejon gjykatën që të marrë të pandehur një deputet pa lejen e Kuvendit.
“Unë do shkoj në seancë gjyqësore dhe kudo, por jo në shkelje të Kushtetutës. Po u ndoq procedura çfarë mendon ti se do i kërkoj unë mëshirë mazhorancës së partisë së krimit? Kurrë! Po ata kanë frikë ta mbledhin parlamentin. Ata kanë frikë sepse e dinë që kanë zero fakte, zero argumente dhe nuk duan që unë t’ju bëj gjyqin publikisht. Nëse parlamenti voton për heqjen e imunitetit do ta pranoj pa diskutim. Njeriu që ka dërguar në vitin 2012 ligjin për këtë çështje as nuk më shkon kurrë në mendje ta refuzoj”, deklaroi ish-kryeministri Sali Berisha.