GJKKO ndërpret seancën për të arrestuarit nga SPAK për disa vrasje, avokatët kërkojnë kohë për dosjen voluminoze

8 të arrestuarit me urdhër të SPAK kanë dalë sot para gjykatës e cila do të marrë vendimin pas aksionit të dy ditëve më parë.

6 prej tyre Pëllumb Gjoka, Edmond Preka, Astmer Bilali, Ardrit Hasanbegaj, Oltian Bistri dhe Xhevahir Lita do të njihen në Gjykatë me akuzat për 12 vepra penale të ngritura nga Prokuroria e Posaçme ndaj tyre, nga grupi i strukturuar kriminal, korrupsioni, shpërdorimi i detyrës e deri te pastrimi i parave. 

Ndërsa dy të tjerët, Sabjan Troshani dhe Nehat Fojleta u arrestuan në flagrancë gjatë kontrolleve të policisë në 26 banesa, ku ju gjetën armë.

Mirëpo, seanca gjyqësore e nisur pak momente më parë është ndërprerë dhe do të nisë pas dy orësh, në orën 12.00, për shkak se avokatët mbrojtës të personave të akuzuar kanë kërkuar kohë që të njihen me aktet e Prokurorisë së Posaçme.

Po ashtu, gjyqtarja Atalanta Zeqiraj do të japë dhe masat e sigurisë në mungesë për nëntë të shpallurit në kërkim: Behar Bajri, Ervis Martinaj, Denis Brahoviç, Klaudio Haka, Prekë Kodra, Aleks Ndreka, Arsat Bashli, Bardhyl Mavraj dhe Elion Hato.