Sali Berisha do të jetë kandidati i vetëm në garën për kreun e Partisë Demokratike.
Sipas vendimit të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të zbardhur këtë të premte, Sali Berisha do të jetë i vetmi kandidat në garën e datës 23 maj 2026, pasi Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj u skualifikuan.
Dokumenti specifikon se megjithëse pati disa kërkesa, vetëm tre aplikime (Sali Berisha, Mereme Sela dhe Vladimir Mulaj) u morën në shqyrtim pasi plotësonin kushtin fillestar të qenit anëtarë të PD-së. Kërkesat e tjera u refuzuan menjëherë pasi nuk ishin anëtarë të partisë.
VENDIM PËR SHQYRTIMIN DHE MIRATIMIN E KANDIDATURAVE PËR KRYETAR TË PDSH
Në bazë të neneve 10/6, 19, 46 dhe 53 të Statutit të PDSH, të Vendimit Nr. 35 të Kryesisë së PDSH të datës 17 Mars 2026, si dhe në vijim të Vendimit nr.35/1 datë 18.03.2026 të KOKOE, Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE) në mbledhjen e datës 01.05.2026,
PASI KONSTATOI SE:
Në përfundim të afatit të përcaktuar në pikën 2 të vendimit nr.35/1 datë 18.03.2026 të KOKOЕ, për depozitimin e kandidaturave për kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, pranë selisë së Partisë Demokratike janë depozituar, fizikisht ose elektronikisht, disa kërkesa nga subjekte të interesuar për të kandiduar për Kryetar të PD:
Nga kërkesat e mësipërme, KOKOE, bazuar në tagrat që i njeh Statuti i PDSH, mori në shqyrtim vetëm 3 (tre) prej tyre, të cilat konsiderohen aplikime të rregullta për garën për kryetar, pasi përmbushin kushtin thelbësor, të qenurit anëtar i Partisë Demokratike;
Kërkesat e tjera të paraqitura, për shkak se nuk plotësojnë kushtin e paraqitjes nga anëtar të PDSH-së, nuk mund të trajtohen nga KOKOE dhe as nga ndonjë organ tjetër i PDSH-sipas Statutit të Partisë. Ky Statut përcakton norma dhe rregulla bashkëjetese midis anëtarëve të PDSH si dhe kompetencat dhe sjelljen institucionale të organeve të kësaj force politike;
Nga aplikimet e shqyrtuara rezulton se:
Sali BERISHA, anëtar i Partisë Demokratike, ka paraqitur kërkesë për kandidim, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të pikës 2 të vendimit nr.35/1 datë 18.03.2016 të KOKOE. Dokumentacioni është i plotë dhe i rregullt dhe KOКОЕ në mënyrë unanime vlerëson se z. Sali BERISHA plotëson të gjitha kriteret statutore si dhe ato të përcaktuara në pikën 4 të vendimit nr.35/1 datë 18.03.2016 të KOKОЕ.
Zj. Mereme SELA, anëtare e Partisë Demokratike, ka paraqitur kërkesë për kandidim, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të pikës 2 të vendimit nr.35/1 datë 18.03.2016 të KOKOE. Dokumentacioni është i rregullt, por KOKOE në mënyrë unanime vlerëson se zj. Mereme SELA nuk plotëson kriteret statutore si dhe ato të përcaktuara në pikën 4 të vendimit nr.35/1 datë 18.03.2016 të KOKOE. Konkretisht kandidatja pavarësisht se është anëtare e PD, nuk plotëson kriterin e figurës me profil shumë të lartë publik dhe politik, si dhe atë të eksperiecës drejtuese elektorale ne nivel kombëtar apo rajonal;
Vladimir MULAJ, anëtar i Partisë Demokratike, ka paraqitur kërkesë për kandidim, së bashku me dokumentacionin përkatës, sipas përcaktimeve të pikës 2 të vendimit nr.35/1 datë 18.03.2016 të KOKOE. Dokumentacioni është i plotë dhe i rregullt, por KOKOE në mënyrë unanime vlerëson se z. Vladimir MULAJ nuk plotëson kriteret statutore si dhe ato të përcaktuara në pikën 4 të vendimit nr.35/1 datë 18.03.2016 të KOKOЕ. Konkretisht kandidati pavarësisht se është anëtar i PD nuk plotëson kriterin e figurës me profil shumë të lartë publik dhe politik, si dhe atë të eksperiecës drejtuese elektorale ne nivel kombëtar apo rajonal;
Përsa më sipër,
KOKOE, në ushtrim të tagrave dhe kompetencave të saj,
VENDOSI:
T’i propozojë Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë kandidaturën e z. Sali BERISHA, për miratim, si kandidat për Kryetar të Partisë Demokratike të Shqipërisë të datës 23.05.2026.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KOMISIONI I ORGANIZIMIT DHE KONTROLLIT TË OPERACIONEVE ELEKTORALE