Gazetarja: E çuditshme, Ervin Hoxha ngushëlloi besimtarët për Papa Françeskun, por nuk reagoi për të qetësuar qytetarët pas atentateve të fundit

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, është “zhytur” kokë e këmbë në fushatën zgjedhore, aq sa ka harruar se është në krye të një prej ministrive më të rëndësishme në vendin tonë, ku ditët e fundit kanë ndodhur edhe 2 atentate të rënda.

Për gazetaren Fatjona Medini, është e çuditshme se si ky ministër bëri postim në rrjetet sociale për të ngushëlluar besimtarët katolikë për humbjen e jetës së Papa Françeskut, por nga ana tjetër si nuk ka arritur që gjithë këto ditë të qetësojë qytetarët shqiptarë në lidhje me sigurinë e tyre.

Ajo tha në emisionin “Opinion” se  të gjithë qytetarët shqiptarë janë të terrorizuar, teksa shtoi se është shumë e rëndësishme çështja e qetësisë së prindërve.

Lexo edhe: Atentate e arrestime zyrtarësh të Policisë, por ministri Ervin Hoxha e ka mendjen te fushata

“E shoh të çuditshme faktin që nuk ka pasur reagim nga figurat publike, dhe këtu po flas për ministrin e Brendshëm, z.Ervin Hoxha. Sot kam parë që ka ngushëlluar besimtarët katolikë për humbjen e jetës së Papa Françeskut, por nga ana tjetër si nuk ka arritur që gjithë këto ditë të qetësojë qytetarët shqiptarë në lidhje me sigurinë e tyre? Unë mendoj që shumë familje sot, të gjithë qytetarët shqiptarë janë të terrorizuar. Po arrijmë atë kohën kur mesa duket duhet të udhëtojmë me makinë të blinduara. Është shumë e rëndësishme çështja e qetësisë së prindërve”, tha ndër të tjera gazetarja.