Atentate e arrestime zyrtarësh të Policisë, por ministri Ervin Hoxha e ka mendjen te fushata

Nëse Policia e Shtetit ka diçka të përbashkët me homologët e saj në vendet e tjera, është vetëm përdorimi i gjuhës angleze në emërtimin e disa operacioneve që kryhen për arrestimin e të dyshuarve për vepra penale.

“The remaining”, “Prevention”, “Suspend” e të tjera, janë disa nga emërtimet e operacioneve që shohim shpesh në njoftimet e Policisë.

Por, nëse do të krahasojmë punët që bëjnë Policitë në rajon dhe Europë, Policia e Shtetit shqiptar lë shumë për të dëshiruar, pasi prej kohësh nuk po arrin të zbardhë asnjë atentat të ndodhur në vendin tonë, pavarësisht se kanë qenë me shumicë.

Vetëm pak ditë më parë ndodhën 2 atentate, i pari në Lezhë, ku 64 vjeçari Gjovalin Prendi u ekzekutua me armë zjarri në biznesin e tij. Si çdo herë tjetër, Policia gjeti makinën e djegur të autorëve, por asnjë gjurmë nga ata.

Pak orë më vonë, në Tiranë u qëllua me breshëri ndaj një makine në të cilën udhëtonin 4 persona, mes tyre edhe 2 të mitur, të cilët u plagosën dhe janë dërguar për kurim jashtë vendit. Edhe në këtë rast, autorët arritën të largoheshin, ndërsa Policia nuk ka dhënë asnjë detaj se çfarë po bëhet për kapjen e tyre.

Por, faji për dështimin e Policisë së Shtetit fillon nga “koka”, nga ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Ky i fundit, duket i pa interesuar me atë çfarë ndodh në vendin tonë, pasi gjithë vëmendjen ia ka kushtuar fushatës zgjedhore, sepse kandidon për deputet në listën e sigurt në Tiranë.

Ndërkohë që ai vijon takimet degë më degë në kryeqytet, SPAK vijon arrestimin e zyrtarëve të Policisë, të lidhur me krimin apo të korruptuar që marrin para’ nga qytetarët.

Dy ditë më parë në pranga u vendosën shefi i Qarkullimit Rrugor në Tiranë, Roven Zeka, së bashku me shefin e oficerëve të Policisë Gjyqësore për Aksidentet Sokol Novaku si dhe oficeri Edison Tabaku. Ata dyshohet se janë të përfshirë në një rast korrupsioni.

Por edhe kjo ngjarje nuk e ka shqetësuar Hoxhën, që vijon të publikojë foto nga takimet e fushatës dhe të shpërndajë postimet e kryeministrit Rama, me këtë të fundit që duket se ka dështuar në çdo ministër të Brendshëm që ka emëruar që prej vitit 2013.