Frika nga drejtësia e SPAK dhe tentativa për t’i lidhur duart, çfarë parashikon rezoluta e re e qeverisë për antikorrupsionin

Fjalimi për më shumë se 1 orë e 30 minuta i kryeministrit Rama gjatë mbledhjes së jashtëzakonshme të sotme me ministrat dhe deputetët socialistë, ia la vendin paraqitjes së rezolutës së re të qeverisë për reformat në sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin.

Një rezolutë që i drejtohej Kuvendit të Shqipërisë për të kryer disa detyra, por që më shumë ishte një ftesë për opozitën për të krijuar një Komision të Posaçëm Parlamentar, nëpërmjet të cilit do të mund të bëhen ndryshimet e synuara ligjore.

Ka pak kohë që mazhoranca dhe opozita, ajo e Rithemelimit, kanë filluar bisedimet shumë çështje, teksa përflitet se të dyja po diskutojnë për ndërhyrje në drejtësinë e re, pas disa arrestimeve të bujshme nga SPAK.

Pushteti që ka fituar SPAK duket se ka frikësuar politikën në Shqipëri, që tashmë e sheh veten të rrezikuar për aferat e ndodhura ndër vite, që po zbulohen nga dita në ditë, teksa qindra zyrtarë e ish-zyrtarë, deri te ministrat, janë vënë në pranga.

Burime për Media Ditarin bëjnë me dije se po diskutohet që në krye të Komisionit të Posaçëm Parlamentar, të parashikuar në rezolutë, të vendoset Fatmir Xhafaj, i cili ka besimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve në vend.

Ai do të drejtojë Komisionin që do të bëjë ndryshimet ligjore që do të synojnë t’i lidhin duart Prokurorisë së Posaçme, që është kthyer në problem konstant për pushtetin dhe jo vetëm.

Mes opozitës dhe mazhorancës po diskutohet edhe ndryshimi i disa ligjeve që deri më sot kanë futur në burg shumë zyrtarë. “shkelja e barazisë në tendera” po mendohet të hiqet nga Kodi Penal, ndërkohë që do të ndryshohet edhe vepra penale “shpërdorimi i detyrës”, duke kufizuar mundësitë e prokurorëve të SPAK për ndjekjen penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe punonjësve të administratës.

Dakordësia mes mazhorancës dhe opozitës ka nisur që prej fundit të aksionit opozitar, teksa u vërtetua edhe me miratimin e Amnistisë Penale, që ndryshe nga çfarë u propagandua deri ditën e fundit, u dha lirinë edhe të dënuarve nga GJKKO.

Kreu i SPAK, Altin Dumani, duket se e ka ndjerë rrezikun e politikës dhe shpeshherë ka bërë thirrje që prokurorët e SPAK të mund të kandidojnë për një mandat të dytë, teksa ka denoncuar edhe mungesën e bashkëpunimit nga ana e institucioneve.

Sot, drejtësia e re duket më e rrezikuar se kurrë, teksa pritet me interes reagimi i Ambasadës Amerikane, që ka qenë gjithmonë një nga mbështetëset më të mëdha të SPAK. Politika dhe drejtësia kanë filluar “luftën e ftohtë”, ndërsa ndërkombëtarët do të duhet të vendosin drejtësinë, e cila duhet të jetë në të mirë të shqiptarëve.

Rezoluta e propozuar nga qeveria: