Forcimi i sigurisë në shkolla, ministria e Brendshme kërkesë për të ashpërsuar dënimet e veprave penale brenda institucioneve

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka dërguar një shkresë tek kolegu i tij Ulsi Manja për forcimin e sigurisë në institucionet e arsimit.

Balla i kërkon ministrit të Drejtësisë ndryshimin e 11 neneve që do të rrisin më tëpr sigurinë në shkolla.

Sipas këtij propozimi dhuna seksuale do të dënohet 5 deri në 10 vite burg, ndërsa bindja e një të mituri për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, kur kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, do të  dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet.

“Do të forcojmë me ligj Paketën Sigurisë në Shkolla duke bërë të mundur ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor apo në perimetrin e sigurisë së tij. Kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:

  • Dhuna seksuale (neni 107/a);
  • Pornografia (neni 117);
  • Trafikimi i të miturve (neni 128/b);
  • Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);
  • Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);
  • Prodhimi dhe shitja e narkotikëve (neni 283);
  • Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);
  • Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);
  • Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286);
  • Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt (neni 291)”, shkruan Balla.