Flamur Noka akuzon ministren Milva Ekonomi: Je militante e përdorur vetëm për afera

Deputeti democrat Flamur Noka ka hedhur akuza të forta ndaj ministres për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomit, duke e quajtur një militante të përdorur vetëm për afera korruptive.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend, Noka u shpreh se Ekonomi dhe ministret e tjera nuk zbatojnë ligjin, por bëjnë çfarë u thotë Babloku (Rama). Sipas tij, administrata publike është shndërruar në një strukturë militantësh partie.

“Je një militante e përdorur. Që kur ke qenë zëvendësministre shëndetësisë edhe tani vetëm je përdorur për afera. Nuk i ke shërbyer as ti dhe as kryeministri yt shtetit dhe qytetarëve. Bëni hartime, citime e përralla. Vetëm vidhni dhe asgjë tjetër.  Duhet të kesh guxim të madh që të pohosh para shqiptarëve që aplikacionin e kanë plotësuar vetëm socialistë, kur ne kemi fakte që punonjës të administratës janë terrorizuar.

Ju keni vetëm ndjeshmëri për çfarë ju thotë Babloku. S’ka ligj, rroftë sulltan, as nuk skuqeni dhe a nuk zverdheni. Zëvendës ministrja jote i shpërndan dhe pëlqen postime. Spitali bashkiak Delvinë, ka edhe të tjera, i keni të gjitha (paraqet foton në Kuvend). Ti zonja ministre kur flas unë të lutem mos ndërhy. Janë të gjitha administratë publike. Ndaj mos flisni për administratë sepse e keni shndërruar në një strukturë militantësh partie. Kursejani këto shqiptarëve, pafytyrësinë e hajdutërinë e kriminalitetin nuk ua pranojnë shqiptarët”, tha Noka ndër të tjera.