Euro në nivelin më të ulët për këtë vit, ende pa nisur sezoni turistik veror

Monedha europiane ka prekur nivelin e ri më minimal për vitin 2024.

 1 Euro sot është këmbyer me 101.2 lekë duke arritur kështu nivelin më të ulët të këmbimit që nga data 7 dhjetor 2023.

Kur jemi ende larg nisjes së sezonit turistik, ku euro ulet akoma më shumë, ky nivel i euros duket se nuk i bën përshtypje qeverisë apo Bankës Qendrorë, të cilat janë të vendosura të mos ndërhyjnë.

Sipas deklaratave të tyre të mëhershme, niveli i euros përcaktohet nga tregu.

Kjo situatë i leverdis sigurisht qeverisë, pasi më shumë se gjysma e uljes së borxhit publik gjatë vitit të kaluar erdhi si rezultat i forcimit të lekut në kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë vlerëson se raporti i borxhit publik bruto ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) ra në 59.2% në fund të vitit 2023, duke qenë rreth 5.3 pikë përqindje më i ulët se niveli i vlerësuar në fund të vitit 2022. Sipas Bankës së Shqipërisë, më shumë se gjysma e kësaj rënieje, ose 2.7 pikë përqindje, i atribuohet efektit të mbiçmimit të lekut kundrejt euros.

Situata është e volitshme edhe për importuesit, të cilët me gjithë uljen e ndjeshme të euros, nuk e kanë reflektuar atë në ulje çmimesh për produktet e importuara.

Ata që e pësojnë janë prodhuesit vendas, të cilët dita-ditës po shkojnë drejt falimentimit.