Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar për herë të parë për arrestimin e disa prej ish-drejtorëve të tij, të cilët kishin krijuar një kompani për të vjelë tenderat e institucionit ku ishin të punësuar.
Në një bashkëbisedim me nxënësit ekselentë të shkollës “Qemal Stafa”, ai tha se dëshiron të besojë se ata janë të pafajshëm dhe do ta zgjidhin këtë problem me drejtësinë, ndërsa paralajmëroi se do të ngrejë një sistem të ri për të parandaluar konfliktin e interesit në prokurimet e Bashkisë së Tiranës.
“Unë mendoj se njerëzit duhet t’i zgjidhin problemet me drejtësinë pa e ulur ritmin e organizatës. Kjo është arsyeja pse disa njerëz duhet të bëjnë ‘time out’, dhe pse organizata vetë, në këtë rast Bashkia e Tiranës, duhet të vendosë disa sisteme vetë-korrektuese. Ne e kemi një sistem të brendshëm auditi, por unë besoj se duhet të vëmë edhe sistem për të kontrolluar konfliktin e interesit. Ka shumë organizata, të cilat për dikë që ka punuar aty dhe më pas është larguar, vendosin që ai person të mos ketë të bëjë më me atë organizatë për një periudhë të caktuar 3 vjet, 5 ose 10. Këtë po e mendoj ta zbatoj seriozisht edhe në Bashkinë e Tiranës…
Teksa dëshiroj me gjithë zemër të besoj deri në fund në pafajësinë e të gjithë bashkëpunëtorëve të mi, në ditët në vijim do të duhet të mendojmë me kolegët e bashkisë, disa masa konkrete që do duhen marrë, në mënyrë që të kemi një kontroll më të rreptë e një parandalim më efikas ndaj çdo lloj devijimi potencial nga standardet më të mira publike. Pasi Bashkia Tiranë duhet të jetë kampione edhe në procedurat e prokurimit, garantimin e transparencës, shmangien e konfliktit të interesit”, u shpreh Veliaj ndër të tjera.
Kompania “5D” e ish-drejtorëve Mariglen Qato dhe Redi Molla ka përfituar më shumë se 6 miliardë lekë të vjetra tendera nga Bashkia e Tiranës, Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, Tirana Parking dhe Klubi Sportiv “Tirana”.
Sipas SPAK, për 4 vite që Redi Molla ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” ka shpallur fituese tenderash kompaninë që ai dhe drejtori tjetër Mariglen Qato, kishin themeluar vetë.
Ndërkohë Taulant Tushe, në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku në disa procedua prokurimi, e kanë favorizuar dhe i kanë krijuar kompanisë së Mollës e Qatos privilegje të padrejta duke e shpallur fituese të tenderave.
Së fundi, nga hetimet e kryera është provuar edhe fakti se Deborah Keçi, drejtuesja e autoritetit kontraktor Klubi Sportiv “Tirana”, ka favorizuar në një procedurë prokurimi kompaninë e Qatos dhe Mollës duke e shpallur fitues në mënyrë të parregullt.