Erjon Alibej, i kthyer tashmë në të penduarin e drejtësisë ka rrëfuar sot në sallën e gjyqit një tjetër episod kriminal, që lidhet me vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe tentativën për t’ia ngecur këtë ngjarje vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela.
Por duke qenë se nuk e arritën të ekzekutojnë këtë plan, Alibej rrëfeu se vendosën që ta vrisnin Bujar Çelën, duke treguar edhe emrat se kush do ta kryente krimin.
Bëhet fjalë për Skerdi Tasen dhe Henrik Hoxhajn, por siç thotë Alibej, ata më pas u tërhoqen dhe ende nuk e di arsyen se përse e morën një vendim të tillë. Më pas ka treguar se për të realizuar krimin, u morën çunat e Fushë Krujës, Besian Xhixha dhe Enver Diva.
“Bujar Çela është vëllai i Talo Çelës. Njeriu më i afërt i Talos. Ka qenë taksist. Pas vrasjes së Emiliano Ramazanit, diskutova me Nuredinin, që armën e krimit ta vendosnim tek shtëpia e Bujar Çelës.
E dija ku e kishte shtëpinë. Unë kisha informator Xhuliano Hoxhën.
Bujar Çela kishte një pikë shumice afër shtëpisë. Përmes Xhuliano Hoxhës deshëm të gjejmë diçka që Bujari e kishte prekur me dorë, një qese, apo diçka. Doja që në të të fusnim armën e krimit dhe ta groposnim tek shtëpia. Më pas do sinjalizoja policinë përmes Leonard Palushit.
Nuk e arritëm dot këtë dhe diskutuam, që duke qenë njeri i afërt i Talos, por edhe pse përmes taksisë bënte punë e lëvizje për Talo Çelën, vendosëm ta ekzekutonim.
Si fillim u angazhua nipi, që i referohem Skerdi Tases dhe kushos, që i referohem Henrik Hoxhajt.
U angazhua kusho me nipçen për ta ekzekutuar. U morën disa ditë rresht per ekzekutimin e Bujar Çelës. Nuk e kuptova pse u tërhoqën, as sot e kësaj dite nuk e kam kuptuar pse nuk e vranë. Informacionet për Bujarin unë i kisha të gjitha, përveç informacioneve qe kishte Nuredini nga Eljo Bitri.
Nuk u arrit në atë periudhë, pastaj Bujari u mor me Abedin Mamen. Më pas, sa i përket ditës së ekzekutimit të Bujarit, u angazhuan ditë përpara çunat e Fushë Krujës, Besi dhe Veri (Besian Xhixha dhe Enver Diva). Çunat e Fushë Krujës, ditën e ekzekutimit, kanë ardhur me një Renault ngjyrë qumështi, me atë erdhën nga Fushë Kruja. Kanë pritur njëherë te shtëpia e Bujarit, një komshi i pa dhe ata u tërhoqën. U larguan nga zona aty dhe më pas u afruan te lokali ku ishte Bujari. Pasi kanë mbaruar veprimin, më ka shkruajtur Nuredini në sekond që “mbaroi Bujari”. Makinat u larguan njëkohësisht, Renaulti u dogj, më pas me makinën E Class shkuan për Fushë Krujë”- ka thënë në dëshminë e tij, Erjon Alibej.