EMRI/ Makina përplas për vdekje këmbësorin në aksin Laç-Mamurras, pranga shoferit 21 vjeçar, viktima i paidentifikuar ende

Një aksident i rëndë është regjistruar mbremjen e djeshme në autostradën Laç-Mamurras, ku është regjistruar një viktimë.

Një automjet tip “BMW” që drejtohej nga 21 vjeçari Egli Babasi ka përplasur për vdekje një këmbësor, i cili ende nuk është identifikuar nga uniformat blu.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Ndërkohë 21 vjeçari është arrestuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” ndërsa po punohet për identifikimin e viktimës.

Njoftimi i policise:

Aksidentoi me pasojë vdekjen një shtetas (këmbësor) ende të paidentifikuar, vihet në pranga 21-vjeçari.

Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:10, në autostradën “Laç-Mamurras”, automjeti me drejtues shtetasin E. B., ka përplasur një shtetas (këmbësor) ende të paidentifikuar.

Si pasojë e përplasjes, këmbësori rreth 60 vjeç, ka ndërruar jetë.

Në përfundim të veprimeve të kryera nga Specialistët e Qarkullimit Rrugor, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 21 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Vijon puna për identifikimin e shtetasit që humbi jetën si pasojë e përplasjes nga automjeti që drejtohej nga shtetasi E.B.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.