Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Fier ku një efektiv policie ka mbetur i vrarë. Sipas informacioneve paraprake, mësohet se viktimë ka mbetur efektivi i “Shqiponjave” Novruz Cenalia 28 vjeç, i cili nuk ka qenë në detyrë, në momentin kur është përfshirë në një zënkë të momentit me një person tjetër, në fshatin Baltëz të Fierit.
Mësohet se ai është qëlluar me armë zjarri, duke humbur edhe jetën nga shtetasi, A.M, i cili pas identifikimit, është shpallur në kërkim. Krimi i rëndë ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes autorit dhe policit.
Ndërkohë policia në një njoftim sqaron se efektivi në momentin që është konfliktuar me autorin e vrasjes, ka qenë i veshur me uniformën e Policisë, pasi po shkonte për të marrë shërbimin. Në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
‘Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin Novruz Cenalia, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”- njofton policia.