Ekzekutimi i 62 vjeçarit në Maliq, Berisha akuzon Ballën: Po nxit vrasjet nga Policia, Avokati i Popullit të nisë hetimin

Ish-kryeministri Slai Berisha ka reaguar për ngjarjen e ndodhur në Maliq, ku forcat RENEA ekzekutuan pas disa orësh negociata 62 vjeçarin Ramiz Muçollari, pasi ky i fundit qëlloi me armë zjarri në drejtim të tyre.

Ai akuzon ministrin e Brendshëm, Taulant Ballën, se po nxit vrasjet nga policia, pasi ky i fundit përgëzoi punën e efektivëve, teksa thotë se ekzekutimi i viktimës është bërë në rrethana të dyshimta.

Berisha ka kërkuar nga Avokati i Popullit që të nisë hetimi në lidhje me vrasjen e 62 vjeçarit që vuante nga problemet e shëndetit mendor.

Postimi i plotë i Berishës:

Vrasja e personit me probleme me shëndetin mendor duhej të shmangej. Taulant Bego etj… etj…, nxit vrasjet nga policia.

Të dashur miq, policia ekzekuton Ramiz Muçollarin në papafingon e shtëpisë së tij. Ajo flet për shkëmbim zjarrin në papafingo, pretendim jo bindës!

Muçollari i cili vuante nga shëndeti mendor kishte plagosur më parë gruan dhe djalin me thikë e sende të forta dhe sigurisht ai duhet të dorëzohej. Ai nuk mund të kërcënonte në asnjë rrethanë jetën e policëve. Por cinike dhe kriminale është përgëzimi i Ballës i policëve për vrasjen e tij. Ai plagosi, por nuk mori jetë njeriu.

Duke ditur dhe problemet me shëndetin mendor të viktimës durimi më i madh në rrethim duhej treguar, para se të hynin në papafingo dhe të shkrehnin breshëritë mbi trupin e tij. Ju uroj shërim të shpejtë gruas dhe djalit të plagosur, dënoj ekzekutimin e tij në rrethana të dyshimta dhe dënoj fort, përgëzimin e Taulant Bego etj., etj., për vrasjen nga policia të një të sëmuri të strukur në papafingon e shtëpisë së tij.

I bëj thirrje Avokatit të Popullit të nisë menjëherë hetimin për këtë vrasje të parandalueshme dhe ndaj Ballës etj etj me përgëzimin e tij cinik ekstrem, inkurajon dhe nxit vrasjet nga policia.