E majta ekstreme antisemite, kërcënimi më serioz në zgjedhjet për Parlamentin Evropian

Nga Gavin Mortimer “The Spectator”

Në Francë, Holandë, Itali, Belgjikë, Poloni, Hungari dhe Austri, partitë e cilësuara nga rivalët e tyre politikë si “të djathta ekstreme”, po shkojnë drejt rezultateve shumë domethënëse në zgjedhjet evropiane të muajit të ardhshëm. Për hidhërimin e politikanëve progresistë, Xhorxhia Meloni, Marin Lë Pen dhe Gert Vilders janë popullorë dhe mbështeten nga shumë votues.

Megjithatë grupimet e qendrës në Parlamentin Evropian, janë të vendosur të bëjnë gjithçka për t’i ndalur ata. Evropa ndihet sikur rrezikon të kthehet në “faqet më të errëta të historisë së saj”.

“Ne jemi përballë një momenti vendimtar në historinë e projektit tonë evropian, ku edhe një herë e djathta ekstreme po përpiqet të rikthejë faqet më të errëta të historisë sonë”- thuhet në një komunikatë të lëshuar më 8 maj, nga një koalicion partish të krahut të majtë, të gjelbra dhe të qendrës në Parlamentin Evropian.

Koha e asaj deklarate, nuk ishte aspak rastësore:ajo ditë shënoi 79 vjetorin e Ditës së Fitores mbi nazizmin në Evropë. Deklarata paralajmëronte se partitë e “të djathtës ekstreme”, përfaqësojnë një kërcënim për demokracinë, për shkak të “rasteve në rritje të vazhdueshme të ngacmimeve, vandalizmit, përhapjes së informacioneve të gabuara, shpifjeve dhe gjuhës së urrejtjes”.

Deklarata përfundoi me paralajmërimin se ato “nuk do të bashkëpunojnë asnjëherë, dhe as do të bëjnë koalicion me një parti të ekstremi të djathtë”. Ajo i bëri thirrje presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Lejen, që të miratonte mesazhin e tyre.

Në fakt deklarata, ishte një fyerje për inteligjencën e elektoratit evropian. Sepse votuesit kanë sy dhe veshë, dhe janë të vetëdijshëm mbi atë që ka ndodhur në Evropë muajt e fundit. Nuk janë studentët e ekstremit të djathtë, ata që bëjnë sot thirrje për shkatërrimin e Izraelit.

Dhe nuk ishin deputetë e partisë së Marin Lë Pen, ata që u morën në pyetje nga policia me akuzën e “kërkimit të faljes së terrorizmit të Hamasit”. Dhe nuk ishte një deputet spanjoll i krahut të djathtë që shkroi në Twitter menjëherë pas sulmit të 7 tetorit:”Sot dhe gjithmonë me Palestinën!”.

Po ashtu, nuk ishte një kryebashkiak i ekstremit të djathtë në Bruksel, ai që u përpoq të pengonte politikanët e zgjedhur në mënyrë demokratike të flisnin në një konferencë, pasi kundërshtonte pikëpamjet e tyre. Dhe nuk ishte një deputet suedez i krahut të djathtë, ai që mori pjesë së fundmi në një konferencë mbi Hamasin.

Evropa ndihet vërtet sikur mund të kthehet në ”faqet më të errëta të historisë së saj”. Por nuk është e djathta përgjegjëse për shumë nga ngjarjet më shqetësuese të kohëve të fundit. Përkundrazi, e tillë është një aleancë toksike e elementëve të së majtës progresiste dhe aleatëve të tyre islamikë radikalë.

Burri që u qëllua për vdekje në Francë të premten e kaluar, në momentin që po i vinte zjarrin një sinagoge ishte një algjerian; dhe i dënuari me burgim të përjetshëm javën e kaluar për vrasjen e një pensionisti në Hartëllpul të Britanisë së Madhe në emër të “popullit të Gazës”, ishte një maroken.

Është Islamo-fashizmi, ai që frikëson sot shumë evropianë:mësues të vrarë, vetëm sepse shfaqnin imazhet e Profetit; vajzat e rrahura deri në humbjen e ndjenjave, sepse nuk mbajnë shaminë në kokë; burra të vrarë me thikë për shkak të seksualitetit të tyre ose për shkak se pinin alkool.

Po ashtu, ajo që alarmon votuesit, është fakti se kaq shumë politikanë progresistë jetojnë në një gjendje mohimi të përhershëm. Ata s’mund të përballen dot me të vërtetën. Flasin flasin shpesh për “islamofobinë”, edhe pse hebrenjtë persekutohen vazhdimisht dhe më shumë në Evropë.

Përveç mashtrimit të kundërshtarëve të tyre, ka edhe faktorë të tjerë që shpjegojnë popullaritetin e politikanëve si Meloni, Vilder dhe Lë Pen. Ata e njohin marrëzinë e politikave të “zero karbon” në atmosferë dhe të kufijve të hapur, dhe e dinë se vetëm gjinia mashkullore ka penis.

E majta evropiane e ka humbur rrugën e saj këtë shekull, dhe kjo shpjegon edhe faktin pse shumica e 27 vendeve në BE, drejtohen sot nga qeveri që anojnë djathtas. Të majtët do ta ndryshojnë këtë prirje, vetëm nëse nisin të flasin dhe veprojnë me guxim dhe ndershmëri.

Një fillim i ri, do të ishte lëshimi i një deklarate tjetër, duke i paralajmëruar votuesit për rrezikun real në zgjedhjet evropiane të muajit të ardhshëm, një koalicion që përbën një kërcënim të vërtetë. Koalicioni “Palestina e Lirë”, përbëhet nga parti nga vende të ndryshme, përfshirë Francën, Belgjikën, Suedinë dhe Gjermaninë.

Një nga zëdhënësit e saj, deputeti belg Fuad Ahidar ka deklaruar:”Ka dy çështje kryesore, mbi të cilat duam të diskutojmë:Islamofobia në Evropë, e cila është në rritje, dhe çështja palestineze”.

Ahidar e ka përshkruar masakrimin e 1200 izraelitëve nga Hamasi si ”një përgjigje të vogël” ndaj 75 viteve “masakra”.

Manifesti i këtij koalicioni, kërkon një ndryshim “radikal” në drejtimin e diplomacisë evropiane. Kjo mund të përfshijë legjitimimin e Hamasit dhe Xhihadit Islamik si organizata politike, si dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Izraelit. Po ashtu, mund të bëhet gjithashtu e paligjshme që qytetarët evropianë të regjistrohen në ushtrinë izraelite.

Partia franceze në këtë koalicion është Unioni Demokratik i Myslimanëve Francezë (UDMF), i cili deklaron se arsyeja e ekzistencës së tij është anti-sionizmi dhe anti-imperializmi. Po ashtu në Francë vepron edhe Vëllazëria Myslimane.

Studiuesja Florens Bergod-Blakler, libri i së cilës mbi këtë organizatën vitin e kaluar, solli vendosjen e saj nën mbrojtjen e policisë, tha për gazetën franceze Le Figaro:”Rrjetet e Vëllazërisë në Francë funksionojnë në dy mënyra:ose i lëshojnë ‘vezët’ e tyre në ‘foletë e qyqeve’ në të majtën ekstreme duke shpresuar të depërtojnë në këto organizata, ose i shfaqin hapur ngjyrat e tyre”.

Ka ardhur koha që e majta evropiane të rritet në lartësinë e sfidës që paraqet koha. Të diskutosh për Musolinin dhe Marshallin Peten është diçka e vjetër. Sepse sot ekziston një kërcënim i ri, i cili po përhapet në të gjithë Evropën, dhe sërish në shënjestrën kryesore janë hebrenjtë.