E konfimon Organizata Botërore e Turizmit: Shqipëria e para në Europë, por i solli pak të ardhura

Shqipëria mbetet surpriza e turizmit europian përgjatë vitit 2023 dhe këtë e konfirmon Organizata Botërore e Turizmit. Në Barometrin e Turizmit që analizon 9 muajt e parë të vitit 2023, Shqipëria renditet e para në Europë me një numër prej 49 % turistësh më shumë se një vit më parë. Në rang botëror, Shqipëria zë vendin e tretë për nga rritja e numrit të turistëve në përqindje, duke ia ka kaluar vetëm Katari dhe Arabia Saudite.

Por Organizata Botërore e Turizmit konfirmon gjithashtu se ky numër i madh turistësh nuk ka sjellë të ardhura më shumë për shqiptarët. Sipas të dhënave të tyre, rritja e të ardhurave në 9 muajt e parë të vitit nuk parashikohet të jetë më i madh se 8 %. Kjo, mesa duket, lidhet me faktin se turistët e ardhur kanë pasur buxhet të vogël. Por krejt ndryshe është situata në serbi. Nëse për 9 muaj e parë të vitit, Serbia kishte pasur 14 % turistë më shumë, ata kishin siguruar 80 % më shumë të ardhura nga ky sektor në krahasim me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave, në janar-shtator 2023, turizmi ndërkombëtar rikuperoi 87% të niveleve para pandemisë për të njëjtën periudhë.  975 milionë turistë kanë udhëtuar në vende të tjera në nëntë muajt e parë të vitit 2023, ose 38% më shumë gjatë të njëjtëve muaj të 2022.

Lindja e Mesme pa rezultatet më të mira, me rritje 20% mbi nivelet para pandemisë. Evropa rikuperoi 94% të vizitorëve para pandemisë, Afrika 92%, Amerika 88% dhe Azia dhe Paqësori 62%.

Numri i turistëve ndërkombëtarë pritet të arrijë në 1.3 miliardë në vitin 2023, rreth 88% e nivelet para pandemisë, në përputhje me skenarët e UNËTO të publikuar në janar. Të ardhurat ndërkombëtare nga turizmi mund të rriten në 1.4 trilion dollarë në vitin 2023, rreth 93% e 1.5 trilion dollarë të fituara nga turizmi në 2019.