Zjarri në kompleksin “Arlis sh.p.k”, kreu i Policisë së Shtetit: Ende herët për shkaqet, RENEA u angazhua për hapjen e dyerve

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një pallat këtë të martë në afërsi të spitalit “Nënë Tereza” në Tiranë.

Kreu i zjarrfikësve Arben Cara tha për mediat se flakët janë vënë nën kontroll dhe është arritur lokalizimi i zjarrit, duke shmangur përhapjen në kullat përreth.

“Është akoma shumë shpejt për të thënë që zjarri është fikur, pasi po punohet për të lokalizuar vatrat e zjarrit që ndodhen brenda banesave. Kemi bërë të mundur lokalizimin e zjarrit që të mos përhapet në kullat përreth. Tirana është mobilizuar me të gjitha kapacitetet zjarrëfikëse. Unë kam komunikuar me drejtorin e Policisë së Shtetit, drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile, ministrin e Brendshëm dhe tani po punojmë intensivisht për lokalizimin e vatrave të zjarrit. S’mund të themi sa apartamente janë shkrumbuar, por mund të themi se zjarri ka përfshirë gjithë seksionin nga veri-lindja, nga kati i parë në katin e fundit”, tha mes të tjerash Cara.

Ndërkohë kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes tha se ka pasur banorë të pallatir, por edhe zjarrfikës, të cilët janë asfiksuar dhe janë dërguar në spital. Ndëkohë shtoi se nuk është bërë ende një bilanc i dëmeve të shkaktuara si pasojë e zjarrit.

“Kanë qenë dy banorë të evakuar nga shërbimet zjarrëfikëse dhe nga shërbimet e Policisë që në momentin e parë. Nuk kanë probleme shëndetësore të rënda përveç asfiksisë. Nuk kemi bërë bilancin përfundimtar të pasojave. Pas fikjes së zjarrit, do ju bëjmë me dije bilancin përfundimtar të dëmeve. Janë paraqitur në QSUT punonjës të shërbimit zjarrëfikës. Ata janë mirë me shëndet dhe nuk kanë probleme të rënda. Janë vënë në dispozicion repartet e FNSH-së, repartet speciale RENEA për hapjen e dyerve, që të mos kishim humbje jete. Akoma nuk janë kontrolluar të gjitha apartamentet. Po grumbullojmë gjithë provat e nevojshme. Do marrim gjithë kamerat e sigurisë dhe do kryejmë gjithë procedurat hetimore. Dhe nëse zjarri ka ardhur nga persona të jashtëm, patjetër që do ketë edhe masa ekstreme”- tha ai.